Kontrollorët e trafikut ajror në Rinas dhurojnë gjak në ditën e festës së tyre
Ervin Koçi
“Kujdesen gjithmonë për sigurinë e jetëve në ajër, por tani kanë vendosur të kujdesen edhe për sigurinë e jetëve në tokë”. I gjithë stafi i Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror “ANTA”, dje u angazhua në një fushatë vullnetare të dhurimit të gjakut për spitalet shqiptare, një veprim ky sa human, aq edhe fisnik. Pikërisht dje, më 20 tetor, datë që përkonte me Ditën Ndërkombëtare të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, në bashkëpunim dhe me Shoqatën e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, kontrollorët e trafikut ajror në Rinas gjetën një mënyrë krejt origjinale për ta kremtuar festën e tyre. Me mesazhin “Bëj një akt dashurie për të tjerët dhe për veten tënde, dhuro gjak”, i gjithë stafi, i përbërë kryesisht nga të rinj, përveshën mëngët me të ardhur në punë dhe që të gjithë e nisën ditën me një procedurë dhurimi vullnetarë të gjakut. Të vënë në radhë dhe me qetësi, kontrollorët e trafikut ajror provuan dje për të parën herë një eksperiencë të veçantë, duke u bërë kështu pjesë e atij rrjeti njerëzish që po shtohen dita-ditës, të dhuruesve periodikë të gjakut. Në këtë procedurë sa të thjeshtë, aq edhe delikate, kontrollorët e Rinasit janë asistuar dhe nga mjekët dhe infermierët e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këta të fundit, pasi kanë kryer të gjitha ekzaminimet shëndetësore dhe kanë plotësuar bashkë me dhuruesit edhe formularët e konstatimit të gjendjes shëndetësore, kanë mbikëqyrur deri në fund procedurën e dhurimit të gjakut për çdo dhurues vullnetar.
Dhurimi i gjakut
Të sensibilizuar edhe më parë për veprimin human që e kryen realisht dje, kontrollorët e trafikut ajror në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, e dinë mjaft mirë detyrën me përgjegjësi që kanë. Për këtë ata janë shprehur edhe gjatë kohës kur po kryenin dhurimin e gjakut, që për shumë prej tyre ishte diçka e paprovuar më parë. “Duke ditur se për ne ka nevojë edhe në tokë jo vetëm në ajër, vendosëm që të marrim këtë iniciativë humane dhe të dhurojmë gjak për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish”, - thotë përfaqësuesi i “ALATCA”-s, Sokol Mara. Sipas tij, falë dhe bashkëpunimit me shoqatën “DHVGJ”, është bërë e mundur që edhe punonjësit e kësaj agjencie të futen në atë grup mjaft të rëndësishëm të dhuruesve vullnetarë të gjakut, duke qenë se janë edhe “dhurues të shëndetshëm”. Ndërsa për presidentin e shoqatës “DHVGJ”, dr. Natale Capodicasa, kërkesa që u bë nga vetë kontrollorët e trafikut ajror të Rinasit përbën një veprim human, por dhe një formë sensibilizimi për të gjithë shqiptarët që të mos ngurrojnë të dhurojnë gjak në mënyrë anonime, vullnetare dhe pa pagesë për të shpëtuar jetë njerëzish në nevojë. “Gjaku mund të sigurohet vetëm nga njeriu dhe nuk mund të prodhohet në laborator. Vetëm dhuruesi vullnetar dhe periodik mund të jetë një burim gjaku i sigurt”, - deklaroi presidenti i shoqatës “DHVGJ”, dr. Capodicasa.
Dy festat
Përveç Ditës Ndërkombëtare të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, dita e djeshme përkoi edhe me trevjetorin e themelimit të Shoqatës së Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut në Shqipëri. Aktiviteti u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, në ambientet e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror pranë aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas. Anëtarët e ALATCA iu përgjigjën kështu thirrjes së shoqatës “DHVGJ” dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për dhurimin vullnetar të gjakut. Nëpërmjet thirrjes dhe mesazheve sensibilizuese, “DHVGJ” në misionin e saj ka venë theksin te dhurimi vullnetar, pa pagesë dhe periodik (herë pas here) i gjakut, pasi ai mund të sigurohet vetëm nga njeriu dhe nuk mund të prodhohet në laborator. Deri tani thirrjes së “DHVGJ”-së për dhurim vullnetar të gjakut i janë përgjigjur mjaft komunitete, institucione dhe individë, sikurse edhe gazetarët.
Kush janë kontrollorët e trafikut ajror shqiptar
Çdo ditë mbi hapësirën ajrore shqiptare kalojnë rreth 600 avionë të llojeve dhe të destinacioneve të ndryshme, dhe deri në 80 të tillë zbresin dhe përpunohen çdo ditë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar rëndësinë dhe vështirësinë e detyrës që kanë kontrollorët e trafikut ajror në Rinas. Janë pikërisht ata që në një farë mënyre luajnë rolin e “policit të trafikut” ose “semaforit” për trafikun e mjeteve ajrore mbi hapësirën tonë. 24 orë në ditë, çdo ditë të javës, çdo javë të muajit dhe çdo muaj të vitit pa ndërprerje, këta kontrollorë mbajnë sytë hapur përpara aparaturave, ekraneve, radarëve dhe kullave të vrojtimit për të bërë që çdo jetë në ajër dhe çdo pasagjer në tokë të jetë i sigurt. Për këtë atyre u duhet një përqendrim dhe një aftësi e jashtëzakonshme, të cilën ata e zotërojnë mjeshtërisht dhe fakt për këtë është mungesa e incidenteve në hapësirën tonë ajrore. Ata rrinë gjithmonë në gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, që nga avaritë e mundshme të ndonjë avioni, uljet e emergjencës për arsye të ndonjë pasagjeri të sëmurë, për avionët që ngatërrojnë kursin dhe korridoret ajrore, e deri te ndonjë zjarr në bord apo marrje ose rrëmbim avioni. Mbi 141 mijë avionëve dhe miliona pasagjerëve iu shërbye nga kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror gjatë vitit 2007, ku rreth 85 për qind e tyre kaluan transit mbi hapësirën ajrore shqiptare.
21 Tetor 2008