Ulja e çmimit të naftës nuk reflekton në biletat e transportit të udhëtarëve
Ulja e çmimit të naftës, që po vazhdon për fat të reflektohet edhe (megjithëse minimalisht) në tabelat e distributorëve të shitjes me pakicë të karburanteve në vendin tonë, nuk po ndjehet në çmimet e transportit. Më konkretisht, çmimi i naftës ka rënë nga 5-7 lekë për litër në pikat e tregtimit me pakicë në vend, ndërsa në bursa ai ka arritur nën 67 dollarë/fuçia, duke pësuar gjithnjë ulje. Por kjo gjë nuk po ndjehet aspak në koston e transportit, e sidomos në atë të transportit të udhëtarëve. Biletat e transportit urban dhe atij interurban u rritën vetëm pak muaj më parë me nisjen e krizës së çmimit të naftës deri në 50 për qind në të gjitha linjat e vendit. E po kështu u rritën e edhe çmimet e biletave të taksive si dhe shumë kosto produktesh të tjera që kishin lidhje me transportin. Justifikimi i shoferëve dhe kompanive të transportit si atij urban ashtu dhe interurban ishte pikërisht rritja e çmimit të pandalshëm të naftës në tregje dhe mospërballimi i kostos së transportit. Por në një kohë që çmimit e hidrokarbureve po bien dita ditës, me shpejtësi në bursa dhe më ngadalë në tregun tonë, drejtuesit e kompanive të transportit urban dhe interurban nuk duan t’ia dinë. Në kryeqytet, megjithëse çmimi i karburantit është ulur deri tani me 5 lekë, çmimi i biletave të autobusëve urbanë ka mbetur 30 lekë. Po kështu edhe taksitë e kanë rritur çmimin nga 100-200 lekë për çdo rrugë që bëjnë. E njëjta gjë bëhet edhe me autobusët dhe furgonët e linjave interurbane, ku asnjë lloj ulje çmimi nuk është reflektuar në bileta me gjithë rënien e çmimit të karburanteve. Gjatë javës që kaloi në pikat e tregtimit të karburanteve në Tiranë 1 litër naftë u shit mesatarisht 145 lekë, 1 litër benzinë 147 lekë, ndërsa 1 litër naftë e cilësisë së parë, e njohur si “eurodiezel”, u shit me 152 lekë. Sipas mediave të huaja, tregjet botërore po tronditen nga rënia drastike e çmimeve. Nafta ka rënë me 2.6 dollarë për fuçi krahasuar me një ditë më parë, duke u shitur me 67 dollarë për fuçi. Ky është edhe niveli më i ulët në 15 muaj dhe sipas ekspertëve pritet të shkojë deri në 50 dollarë për fuçi. Në krahasim me muajin korrik të këtij viti çmimi i arit të zi në bursat e huaja është ulur me gati 50 për qind. Por në tregun vendas kjo ulje ka qenë simbolike. Më shumë se 85 për qind e kërkesave për karburant plotësohet nga importi, për rrjedhojë tregu i karburanteve në vend është shumë i ndjeshëm ndaj luhatjeve të bursave të huaja. Por sa herë që çmimi i arit të zi në bursa rritet, ky ndryshim reflektohet menjëherë në tregun vendas ndërkohë që e kundërta ndodh kur çmimi i karburanteve pëson ulje.
21 Tetor 2008