Raporti: Bizneset shqiptare jane primitive, nuk perdorin sherbimet ne internet
Ervin Koçi
Përdorimi i internetit dhe i shërbimeve të tjera elektronike nga bizneset shqiptare mund të konsiderohet akoma një “luks”. Përdorimi i pajisjeve të kohës që më tepër se çdo gjë shkurton kosto dhe kohë në aktivitetin e një biznesi, mbetet një formë ende shumë e kufizuar për shumë arsye subjektive. Kjo ka të bëjë jo vetëm me vendndodhjen e bizneseve, apo me aksesin që ato kanë ndaj shërbimeve të ndryshme elektronike dhe internetit, por lidhet edhe me lehtësitë që ofrohet si dhe koston e instalimit të këtyre shërbimeve. Sipas një raporti të bërë nga Instituti për Studime Ekonomike, rezulton se gjendja e bizneseve në Shqipëri është akoma primitive dhe shumë punë kryhen nga vetë individët apo pronarët që drejtojnë këto biznese. Kështu sipas raportit, pagesat bankare nëpërmjet internetit është një nga shërbimet që përdoret vetëm nga 27 për qind e të gjithë kompanive të intervistuara në sondazhin kryer në korrik të këtij viti. “Krahasimi i të dhënave të bizneseve të vrojtuara në 2007-n me ato të tatimpaguesve të mëdhenj në 2008-n tregon për një ndryshim të lehtë, vetëm 4 për qind rritje, në përqindjen e përdorimit të shërbimeve bankare përmes internetit”, - thekson raporti. Ky vrojtim tregon se shërbimet bankare përmes internetit përdoren në të njëjtën masë si nga bizneset e vendosura në Tiranë, ashtu dhe ato jashtë kryeqytetit. Autorët e raportit theksojnë se kompanitë e mesme dhe të mëdha janë ato që priren më shumë se sa kompanitë vogla për përdorimin e shërbimeve bankare përmes internetit. “Vetëm 13 për qind e kategorisë së kompanive të vogla me 1-5 punonjës përdorin shërbimet bankare përmes internetit”, - veçon raporti. Këto rezultate janë të lidhura drejtpërdrejt edhe me faktin se sa e njohin kompanitë e biznesit internetin, mundësitë që ai ofron për kryerjen e shërbimeve etj.
Sondazhi
Rreth 84 për qind e bizneseve të intervistuara në vrojtimin e vitit 2008 kanë thënë se e njohin dhe kanë akses në internet. Vetëm 13 për qind e bizneseve të intervistuara nuk përdorin as internetin, as “e-mail”-in. “Ka një rritje të lehtë të përqindjes së bizneseve tatimpagues të mëdhenj që kanë akses të plotë në internet, nga 84 për qind në 2007-n në 87 për qind në vrojtimin e vitit 2008. 81 për qind e tatimpaguesve të Tiranës (pa përfshirë tatimpaguesit e mëdhenj) kanë lidhje interneti në zyrat e tyre”, - thekson raporti. Ndër 49 bizneset që thanë se nuk kanë akses në internet 35 për qind e tyre përmendën si arsye se “nuk kanë nevojë për internet ”, 18 për qind thanë se “nuk ka ofrues interneti në vendndodhjen e biznesit të tyre”, 14 për qind identifikuan “koston” si arsye dhe 31 për qind përmendën arsye të tjera. Për t’u vlerësuar është fakti se përdorimi i shërbimeve bankare përmes internetit, nga bizneset jashtë Tiranës, ka pësuar një rritje me 14 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Ndërtimi i shembullit u bazua në listën e tatimpaguesve të mëdhenj dhe bizneseve të vendosura në Tiranë që paguajnë TVSH-në, të siguruara nga zyrat përkatëse. Në këto zyra janë regjistruar përkatësisht 1,032 dhe 6,868 kompani.
Interneti
Vetëm 27 për qind e të gjitha kompanive të intervistuara përdorin shërbimet bankare përmes internetit. Kjo pasi vetëm rreth 84 për qind e të gjithë kompanive të intervistuara thanë se, “ato kanë akses të plotë në internet në zyrat e tyre”. Sa më e madhe kompania, aq më shumë kohë duhet për të përgatitur dhe dorëzuar deklaratat tatimore mujore dhe për të bërë pagesat. Për 78 për qind të kompanive me 1-5 punonjës duhen 8 orë ose më pak për këtë proces, pasuar nga 57 për qind e kompanive me 6-20 punonjës dhe 55 për qind e kompanive me 21- 80 punonjës.
Realizimi i sondazhit, problem vendndodhja e bizneseve
Për shkak të problemeve gjatë punës në terren për të gjetur bizneset e Tiranës që janë subjekt i TVSH-së, u bë një modifikim i shembullit për këtë grup biznesesh. Sidoqoftë, shembulli mbeti statistikisht përfaqësues, me tolerancë gabimi 5.5 për qind dhe interval besueshmërie 95 për qind. Vrojtimi u realizua përmes intervistave ballë për ballë. Të intervistuarit e synuar përfshinë menaxherët e nivelit të lartë të biznesit, drejtor ekzekutiv, pronar, menaxher i përgjithshëm dhe drejtor ose shef finance. U ndërtuan dy nënshembuj, duke përzgjedhur 150 kompani nga secila listë. Për grupin e tatimpaguesve të mëdhenj kompanitë u ndanë sipas vendndodhjes së tyre gjeografike.
21 Tetor 2008