E Diel, 1 Nëntor 2026

Emerimet trekendesh levizjesh ne polici

Tirana ndryshon kreun e Policisë pas kritikave të Burgajt. Propozimet u bënë tre muaj më parë

Kritikat e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në analizat vjetore duket se kanë qenë një paralajmërim për lëvizje në polici. Drejtoria më e rëndësishme e vendit ka pësuar ndryshim në kreun e saj, duke ia besuar atë Sajmir Muçës, i cili deri dje mbante funksionin e drejtorit të Policisë së Elbasanit. Me lëvizjet e djeshme, pas firmës së ministrit të Brendshëm është mbyllur një trekëndësh funksionesh, i cili ishte projektuar që në muajin shtator, kur dha dorëheqjen zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hamdi Fjora. Bëhet fjalë për një skenar që u botua nga gazeta “Shqip”, por ministri i Brendshëm nuk ndodhej në Shqipëri në atë kohë dhe kur ai u kthye, i shtyu këto lëvizje deri pas liberalizimit të vizave.

Në prag të hapjes së përgatitjeve për fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore, ministri i Brendshëm ka kryer disa lëvizje drejtorësh policie, me qëllim që policia të paraqitet sa më mirë në këtë proces, ku pritet të ruajë dhe të rrisë standardet e arritura më parë. Në këto kushte, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka firmosur që Tonin Vocaj të emërohet drejtor i Drejtorisë Kundër Krimeve të Rënda. Deri dje, ky post mbahej nga Jashar Vreka. Ky i fundit është emëruar drejtor i Drejtorisë së Policisë Elbasan, duke zëvendësuar Sajmir Muçën. Ndërsa për Muçën, ministri Basha ka menduar që të emërohet drejtor i Policisë së Tiranës, funksion i mbajtur deri dje nga Tonin Vocaj. Mbyllja e këtij trekëndëshi, sipas të dhënave policore, nuk do të thotë se s’do të ketë lëvizje të tjera. Burimet policore thanë se drejtori të tjera policore do të ndryshojnë drejtuesit e tyre gjatë ditëve në vijim.

Megjithatë, sa u përket tre drejtorëve të lëvizur, mësohet se Vocaj vjen nga një karrierë e gjatë policore. Para implementimit të strukturës së re të policisë, në vitin 2007, ai mbante funksionin e shefit të sektorit për krimet e rënda. Më parë, ai kishte punuar në disa funksione të rëndësishme të policisë, edhe në qytete të tjera të vendit. Në shtator të vitit 2007, ai u emërua drejtor i luftës kundër krimeve të rënda. Këtë post, Vocaj e mbajti deri në janar të vitit 2009. Në atë kohë, Muhamet Rrumbullaku, sot zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë, i cili mbante funksionin e drejtorit të Tiranës, dha dorëheqjen për arsye shëndetësore dhe u emërua drejtor i Akademisë. Në vend të tij, pra në janar 2009, Tonin Vocaj u emërua drejtor i Tiranës. Këtë funksion e mbajti deri dje, pasi emërimi e riktheu në funksionin që ka mbajtur tre vjet më parë.

Ndërsa zëvendësuesi i Vocajt, Sajmir Muça, ka pasur disa poste më në periferi. Pak vite më parë, ai ka mbajtur funksionin e shefit të Komisariatit të Elbasanit. Nga aty është transferuar me të njëjtën detyrë në Fier. Në janar të vitit 2009, Muça u emërua në funksionin e nëndrejtorit të Policisë së Fierit në vitin 2009. Ndërsa në korrik të këtij viti, ai u emërua drejtor i Policisë së Elbasanit. Tashmë ai do të mbajë një ndër drejtoritë më të rëndësishme të policisë në vend.

Jashar Vreka është personi që ka pasur një karrierë të pasur policore, por me disa lëvizje të shpeshta kohët e fundit. Deri në emërimin e Muhamet Rrumbullakut në krye të Akademisë së Policisë, pa në janar të vitit 2009, Vreka mbante këtë post. Në janar të vitit 2009, me urdhër të ministrit u emërua këshilltar i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kur në krye të saj ishte Ahmet Prençi, tashmë i dorëhequr nga radhët e policisë. Pas këtij funksioni, kur dha dorëheqjen Hamdi Fjora nga zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë, Vreka u emërua drejtor kundër krimeve të rënda. Pra, ai e ka mbajtur këtë funksion vetëm tre muaj dhe tashmë i duhet të përballet me funksionin e ri, atë të drejtorit të Policisë së Elbasanit. Ditët e ardhshme priten emërime të reja në polici, ndërkohë që propozimet tashmë i janë dërguar ministrit të Brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›