E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fryhen liqeni dhe Buna uji kercenon perseri Shkodren

Zgjerohet shpejt harta e përmbytjes. Berisha zbret në terren

Rikthehen përmbytjet në Qarkun e Shkodrës dhe bashkë me to frika dhe paniku te njerëzit. Pas disa ditësh optimizmi, kur uji kishte nisur të tërhiqej nga fusha e Nënshkodrës, reshjet e dendura të shiut dhe temperaturat e larta të 24 orëve të fundit kanë shkaktuar fryrjen e lumenjve dhe shkrirjen e dëborës në Alpe. Për këto arsye është rritur niveli i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vau të Dejës, duke bërë që harta e përmbytjeve të zgjerohet sërish.

Vetëm dje, sipërfaqja e tokave të përmbytura është zgjeruar me 1100 hektarë. Të dhënat e fundit nga Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Shkodër bëjnë të ditur se pas përmirësimit të ndjeshëm të situatës, është rritur sërish sipërfaqja e tokave nën ujë. Kështu nga 6100 hektarë tokë të përmbytura që ishin ditën e hënë, dje sipërfaqja e përmbytur ka arritur në 7200 hektarë tokë. Rritja e nivelit të ujit ka qenë nga 16 deri në 50 centimetra në zona të ndryshme të Nënshkodrës.

Sipas prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili është edhe kryetari i Shtabit të Emergjencës, ka pasur rritje të kuotës së Liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe lumenjve të tjerë. Kjo për shkak të reshjeve të shiut dhe shtimit të prurjeve, si pasojë e shkrirjes së dëborës dhe prurjeve nga lumenjtë Kir dhe Gjadër.

Ndërsa në lidhje me situatën në hidrocentralet e ngritura mbi kaskadën e lumit Drin, prefekti Maxhid Cungu tha se shkarkimi nga hidrocentrali i Vaut të Dejës është 930 metra kub në sekondë, megjithatë situata është nën kontroll.

Problem mbeten prurjet e lumenjve Kir dhe Gjadër, pas shkrirjes së dëborës së rënë pak ditë më parë. Prefekti ka prezantuar si shqetësuese dhe rritjen e nivelit të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, fenomen që në fillim të muajit dhjetor shkaktoi përmbytje masive në disa lagje të qytetit të Shkodrës.

Për momentin rritja e nivelit të liqenit nuk ka sjellë probleme, por nëse tendenca në rritje do të vazhdojë, situata mund të shndërrohet në problem.

Ndërkohë, nga zonat e Nënshkodrës që përmbyten nga shkarkimet e hidrocentralit të Vaut të Dejës, si fshatrat Bërdicë, Trush, Beltojë, Darragjat, raportojnë për prezencë uji dhe shtim të tij nga ora në orë. Më të rrezikuara janë Komunat Ana e Malit, Bërdicë, Dajç. Situata aty është përkeqësuar krahasuar me ditën e hënë dhe niveli i ujit është rritur me 10 centimetra. Ndërkaq vazhdon të jetë i përmbytur plotësisht fshati Obot, ndërsa fshati Goricë ka prezencë uji dhe kalohet me mjete të larta.

Për shkak të situatës së krijuar nga rritja e prurjeve të lumenjve, në Shkodër ka shkuar dje në mbrëmje kryeministri Sali Berisha, i cili zhvilloi një mbledhje me Shtabin e Emergjencave Civile në prefekturë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›