Topi takon Ramen dhe Bracen per platformen antikorrupsion
Shqetësimi për drejtësinë dhe platforma e re e socialistëve ka çuar dje në selinë e Presidencës liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe nënkryetarin e grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. “Drejtësia” ka qenë çështja mbi të cilën kanë diskutuar dje Presidenti Bamir Topi në takimin me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili shoqërohej nga nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Kërkesa për takimin në Presidencë është hartuar nga selia rozë dhe është mirëpritur menjëherë nga kreu i shtetit. Në mënyrë zyrtare lidhur me këtë takim, që vjen në një moment delikat në të cilin ndodhet politika shqiptare, nga selia e Presidencës është publikuar lajmi se kushtetutshmëria dhe drejtësia kanë qenë çështjet që janë diskutuar dje mes Presidentit Topi dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Sipas burimit të informacionit, pasi ka dëgjuar shqetësimet e tyre, kreu i shtetit ka garantuar dy politikanët se do ta trajtojë çështjen me seriozitet dhe konform ligjeve e Kushtetutës së vendit. Selia e Presidencës nuk bën të ditur nëse në takim është diskutuar mbi kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila u rrëzua dje në Komisionin e Ligjeve. Mësohet gjithashtu se përfaqësuesit e opozitës kanë njohur kreun e shtetit me iniciativën më të fundit të deputetit Erion Braçe, i cili, pak ditë më parë, bëri publik një dokument angazhimesh, i cili synon të shërbejë si udhërrëfyes i selisë rozë në luftën kundër korrupsionit. Ky dokument përmban gjashtë pika. Takimi mes Presidentit Topi dhe liderit të opozitës, Edi Rama, tregon një ridimensionim të marrëdhënieve institucionale dhe vjen një ditë pas refuzimit të Partisë Demokratike për kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve. Po kështu, ky takim vjen një ditë pas tryezës së opozitës së bashkuar dhe telefonatës mes liderit të PS-së, Edi Rama, dhe ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në njoftimin për shtyp, Presidenca është treguar e rezervuar në lidhje me takimin Topi-Rama. Sipas njoftimit nga Presidenca thuhet se “Topi priti në një takim në selinë e Presidencës, kryetarin e PS-së, Edi Rama, të shoqëruar nga deputeti Erion Braçe. Kryesocialisti Rama dhe deputeti Braçe e informuan Presidentin e Republikës rreth një shqetësimi të tyre në fushën e drejtësisë”. Paketa antikorrupsion përmban gjashtë pika, ku synojnë ndëshkimin e zyrtarit të përfshirë në korrupsion dhe heqjen e imunitetit. Kjo paketë synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, ligjore e administrative me sipërmarrjen duke u vendosur qartë si një alternativë që krijon mundësi, me rregulla ligjore, të drejta e të barabarta, të taksimit e konkurrencës, ndarjes së kontratave qeveritare, pasurisë dhe lejeve koncesionare të përdorimit të pasurisë publike; pra një parti e ndarë qartë nga sipërmarrja dhe interesat e ngushta të saj, që nuk e bën klientë sipërmarrjen, që nuk tregton, shet, tjetërson vendimmarrjen politike dhe administrative te sipërmarrja kliente me qëllimin e vetëm përfitimet e paligjshme. Menaxhimi i pronës publike në kundërshtim me interesin publik janë një tjetër çështje, për të cilën selia rozë është ankuar te Presidenti, duke e trajtuar këtë çështje si pjesë përbërëse të paketës antikorrupsion.
Ky dokument pritet të shërbejë si udhërrëfyes i selisë rozë dhe përmban gjashtë pika, ku e majta do i bazohet betejës së saj kundër korrupsionit. Në mënyrë indirekte, deputeti i PS-së, Erion Braçe, me këtë dokument si fillim nuk i drejtohet qeverisë, por partisë ku bën pjesë. Deputeti Braçe pret që Partia Socialiste ta diskutojë dhe të marrë në shqyrtim idenë e tij për t’i hapur rrugë definitive veprimi në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së PS-së. “Ky dokument nuk synon të përmirësojë qeverinë e Sali Berishës, që në optikën time nuk mund të përmirësohet. Kjo qeveri duhet rrëzuar, për shkak të politikave korruptive që ka instaluar në vend”, thotë Braçe.