Montobio Shqiperia duhet te kuptoje rolin e BE-se

Intervistën e fundit që jep si ambasador i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, e ka dhënë për gazetën “Shqip”. Diplomati, i cili njihet si nga më intelektualët e trupit diplomatik në Shqipëri, flet për performancën e përballimit të tranzicionit dhe sfidat që Shqipëria ka në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. “Një sfidë shumë e rëndësishme në situatën e re në të cilën ndodhet Shqipëria sot, është ndërgjegjësimi mbi rolin e BE-së. Ajo përcakton standardet për anëtarësimin në të, që janë po ato që zbatojnë vetë anëtarët e saj dhe ndihmon e bashkëpunon me aktorë të vendeve që janë pranë anëtarësimit në të”, deklaroi ndër të tjera për “Shqip”, ambasadori i Spanjës në Shqipëri.
Ju përfundoni misionin tuaj si diplomat i një vendi të rëndësishëm në Europën e sotme, në një vend si Shqipëria. Cilat janë, sipas jush, ndryshimet kryesore dhe sfidat që ka Shqipëria sot në dritën e eksperiencës suaj?
Besoj se procesi që po përjeton Shqipëria ka një karakter më shumë themelues sesa tranzicional dhe kjo është ajo që e dallon nga procese të tjera transformimi apo ndërtimi demokratik pas rënies së një diktature. Po përballemi me procese tranzicioni e themelimi në të njëjtën kohë: drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës, drejt ekonomisë së tregut, drejt integrimit europian dhe aderimit të plotë ndërkombëtar, nga një parti shteti në një shtet partish dhe drejt një transformimi të kulturës politike. Gjatë periudhës së qëndrimit tim këtu, Shqipëria ka ndryshuar në shumë gjëra, veçanërisht në aspektin infrastrukturor dhe ka pasur arritje të rëndësishme, si p.sh. reforma zgjedhore konsensuale apo anëtarësimi në NATO, ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim–Asocimit me BE-në, si dhe liberalizimi i vizave. Pa dyshim që përballet ende me sfida themelore që kanë të bëjnë me transformimin dhe përparimin drejt integrimit europian, sikundër thuhet në raportin e Komisionit Europian dhe me një sfidë të dyfishtë, atë të kapërcimit të një kulture të dukjes dhe të një dinamike sorollatëse, që shpeshherë udhëheq veprimtarinë e të tashmes dhe të së ardhmes më tepër nën frymën e refuzimit të së kaluarës apo e kundërta, sesa të pranimit kritik dhe objektiv të saj.
Ç’përbën në karrierën tuaj përvoja si ambasador në Tiranë?
Është një përvojë e rëndësishme, duke qenë ambasadori i parë i Spanjës me qëndrim në Shqipëri e si i tillë edhe kapiteni i parë i anijes së ambasadës spanjolle në Shqipëri, të cilit i është dashur të përballet me sfidën e dyfishtë të ndërtimit e të lundrimit për herë të parë në ujërat e Shqipërisë e të njerëzve të saj, gjë që njëherazi sfidë e kënaqësi; të sillja Spanjën në Shqipëri, ashtu siç nuk kish ekzistuar deri në korrik të vitit 2006, kur u ula në Aeroportin e Rinasit me një laptop e një celular për të nisur udhëtimin që tani përfundon. Sot secili mund ta shohë sipas mënyrës së vet, por ja ku jemi dhe zhvillimi i marrëdhënieve tona dypalëshe ka pësuar një hop cilësor, ashtu sikundër dhe partneriteti ynë në shumë fusha me interes të përbashkët, në një lojë që ka dhënë rezultat pozitiv.
Cila është mbresa juaj për kohën e shërbimit në Shqipëri dhe ç’vlerësoni më tepër nga kjo përvojë e qëndrimit në Tiranë?
Pjesërisht i jam përgjigjur tashmë kësaj pyetje dhe më është e vështirë të them gjithë sa vlerësoj nga kjo përvojë, por nëse do më duhet të veçoj diçka, do të ishte shpresa në të ardhmen e shqiptarëve, njohja nga brenda e botës së tyre, si dhe mundësia që m’u dha të jem pionieri që ia shpjegoi këtë botë shqiptare asaj spanjolle.
Gjatë semestrit të kaluar, Spanja ka pasur Presidencën e Bashkimit Europian dhe ju e keni përfaqësuar në Shqipëri. Çfarë vlerësimi mund të bëni për arritjet gjatë kësaj periudhe? Cilat janë sfidat kryesore për integrimin europian të Shqipërisë?
Pata përgjegjësinë e përfaqësimit të BE-së në një moment kyç për të, pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, gjë që parashtronte një sfidë koherence dhe të vënies në funksionim të mekanizmave të rinj institucionalë që ky traktat parashikon, në një moment vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian shënuar me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe kërkesës për statusin e vendit kandidat, si dhe procesin e liberalizimit të vizave. Mendoj që e parë nga perspektiva e BE-së, për sa na përket, kemi plotësuar më së miri objektivin tonë mbi koherencën institucionale dhe në nivel cilësor. Mesazhi që përcollëm në Tiranë dhe në gjithë forumet gjatë Presidencës sonë është ai që thuhet në raportin përfundimtar mbi dhënien e statusit të kandidatit. Një sfidë shumë e rëndësishme në situatën e re në të cilën ndodhet Shqipëria sot, falë përparimeve që ka bërë, është ndërgjegjësimi mbi rolin e BE-së. Ajo përcakton standardet për anëtarësimin në të, që janë po ato që zbatojnë vetë anëtarët e saj dhe ndihmon e bashkëpunon me aktorë të vendeve që janë pranë anëtarësimit në të, por që nuk i zëvendëson. Rruga drejt Europës është një udhëtim drejt vetes, një metamorfozë, pasi vetëm një hapësirë e transformuar mund të bëhet pjesë e kësaj hapësire të përbashkët. Kur plotësohen standardet arrihen objektiva, siç është liberalizimi i vizave, që është një kënaqësi e përbashkët. Kur nuk plotësohen, BE-ja përcakton sfidat dhe hapat për t’u ndërmarrë, të cilat pasqyrohen në raportin e saj, i cili falë analizës së tij strukturore dhe të përhershme mbi problematikën dhe sfidat e Shqipërisë shërben si udhërrëfyes, të cilit Shqipëria duhet t’i referohet për procesin e saj të transformimit. Ndër këto sfida të transformimit si shtet, ajo që unë do të theksoja, në mënyrë të veçantë, është reforma në drejtësi dhe profesionalizimi e stabiliteti i administratës publike.
Para pak kohësh u bë promovimi publik i librit “Tranzicione në pasqyrë”, publikuar nga ju, në të cilin së bashku me protagonistët e tranzicionit shqiptar dhe atij spanjoll bëni një përqasje të krahasuar të proceseve të transformimit të Spanjës dhe të Shqipërisë. Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet ndërmjet dy proceseve dhe çfarë konkluzionesh mund të nxirren nga ky krahasim?
Besoj se tranzicioni spanjoll, që shërben si referencë për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës e të drejtimit të suksesshëm të procesit të integrimit europian shërben si një referencë interesante për Shqipërinë mbi rëndësinë e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit në këtë proces. Natyrisht, krahasuar me atë spanjoll, tranzicioni shqiptar përballet me sfida shumë më të mëdha, si për nga ndryshimet që lidhen me trashëgiminë totalitare ashtu dhe për faktin e përballjes në të njëjtën kohë me një sërë tranzicionesh që Shqipëria po jeton dhe me mënyrën sesi po zhvillohet procesi i transformimit. Spanja kishte një përvojë demokratike përpara diktaturës, një administratë profesioniste e një shtet të së drejtës dhe kishte përjetuar zhvillimin e plotë të ekonomisë së tregut, prandaj sfida e demokratizimit të shtetit u bë nëpërmjet një pakti midis të moderuarve të regjimit dhe atyre të opozitës në një proces të kalimit nga ligji në ligj, gjë që mundësoi më pas integrimin europian. Procesi i ndryshimit në Shqipëri filloi me shembjen e regjimit dhe të ekonomisë. Për këtë arsye procesi i saj është më tepër proces themelimi sesa proces tranzicioni. Tranzicione të njëhershme: kalimi nga një parti shteti në një shtet partish, nga një pushtet i centralizuar në ndarje dhe baraspeshim pushtetesh, kalimi në ekonominë e tregut, drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës e drejt integrimit ndërkombëtar. Ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e sfidës dhe të rrugëtimit që Shqipëria duhet të bëjë ndihmon për të kuptuar rëndësinë e asaj që është bërë deri më sot.
Ju flisni në rastin spanjoll për tranzicionin e jashtëm, për transformimin e politikës së jashtme që bën të mundur dhe shpie në ndryshimin e regjimit. Në rastin e Shqipërisë, cili do të ishte ky tranzicion?
Gjatë periudhës së tranzicionit, Spanja zëvendësoi politikën e jashtme të ndjekur gjatë regjimit frankist me një politikë të re, të orientuar drejt tri akseve kryesore: Europës, Mesdheut dhe Amerikës Latine. Pa dyshim që integrimi europian përbënte një objektiv shumë të rëndësishëm kombëtar, objektiv që konsiderohej si pjesë e tranzicionit të brendshëm e me t’u kanalizuar kjo politika jonë e jashtme u zhvillua drejt zonave të tjera, qoftë në nivel marrëdhëniesh dypalëshe, qoftë nëpërmjet Bashkimit Europian, pasi pjesëmarrja në të do të thoshte edhe pozicionim në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare.
Në këtë kuptim mendoj se Shqipëria gjendet në një pikë pa kthim prapa, pas kërkesës së saj për statusin e vendit kandidat. Tani është momenti për të vendosur gjithashtu përparësi të tjera dhe kahet e projektimit në plan ndërkombëtar, ndër të cilat Mesdheu përbën një mjedis të natyrshëm për Shqipërinë, duke qenë se zhvillimi i këtij dimensioni mesdhetar të politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit me Spanjën. Tek e fundit, një nga objektivat dhe sfidat kryesore të tranzicionit është kalimi nga të qenët objekt në subjekt të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kjo na vendos përpara pyetjes: përballë kujt, ku dhe si?
Ju keni qenë veçanërisht aktiv në promovimin e kulturës spanjolle në Shqipëri. Mund të na jepni opinionin tuaj mbi kulturën shqiptare?
Në lidhje me këtë do të veçoja dy gjëra. Nga njëra anë gjuha dhe kultura shqiptare përbëjnë faktorin kryesor të identitetit kombëtar të shqiptarëve, sikundër tregon fenomeni historik i Rilindjes dhe për këtë arsye kultura ka një rol qendror në jetën e tyre të përbashkët. Por, në të njëjtën kohë, si çdo kulturë, përballet me sfidën e transformimit për t´u ballafaquar me universalen, me pikëpyetjet e mëdha që njerëzimi ka shtruar përgjatë gjithë historisë, me atë të shndërrimit në një instrument lirie që na çliron nga burgu i kësaj të fundit. Në këtë kuptim, historia e Shqipërisë e kohëve të fundit, si çdo përvojë dramatike, ka qenë një burim i rëndësishëm krijimi artistik, që në rastin e shumë autorëve është bërë shtysë për trajtimin e argumenteve universale, siç është rasti i Ismail Kadaresë i cili u vlerësua me çmimin “Princi i Asturias” për letërsinë. Gjithashtu, përveçse për të na çliruar nga e shkuara, kultura duhet të na shërbejë për t’u përballur me universalen dhe të ardhmen.
Cili është bilanci i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Spanjës dhe Shqipërisë gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri?
Besoj se kemi arritur një hop cilësor në marrëdhëniet tona, si dhe në njohjen e ndërsjellë, duke arritur në një pikë superiore ekuilibri. Kështu, gjatë kohës që kemi plotësuar këto marrëdhënie me kornizën e duhur ligjore dhe i kemi zhvilluar në fushat politike, kulturore e të bashkëpunimit, Spanja është shndërruar në një partner të rëndësishëm të Shqipërisë për t’ia dalë mbanë në çështje me interes të përbashkët në axhendën ndërkombëtare, jo vetëm për sa u përket proceseve të integrimit atlantik dhe europian të Shqipërisë, por edhe zhvillimit e projektimit të saj në Mesdhe, pjesëmarrjen e saj në Aleancën e Qytetërimeve, apo dhe në projektin pilot “Delivering as ONE UN” në Shqipëri. Për sa i përket të ardhmes, besoj se përpara nesh shtrohet sfida e qëndrueshmërisë në përparimin e arritur, në mënyrë që pika e re e ekuilibrit të jetë e qëndrueshme, si dhe promovimi i çuarjes përpara të marrëdhënieve ekonomike ashtu si në nivelet e arritura në fushat e tjera.