E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimi i Nenad Gjuriqit, kundërkushtetues

Përderisa marrëveshja Kosovë- Serbi nuk është ratifikuar ende nga Kuvendi i Kosovës, emërimi i Nenad Gjuriqit ushtrues detyre i drejtorit të drejtorisë rajonale Mitrovicë - veri, vazhdon të konsiderohet kundërkushtetues. Ndonëse marrëveshjet ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve vendore, ekspertët kushtetues shohin shkelje edhe në këtë aspekt.

Emërimi politik i një ushtruesi detyre të policisë në veri të vendit vazhdon të përcillet me përplasje dhe paqartësi. Ekspertët kushtetues këmbëngulin se fjala është për një rast që përbën kryekëput shkelje kushtetuese.

Në anën tjetër qeveria mbron idenë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk prekin kushtetutën e vendit dhe se nevojiten nxjerrje ligjesh për të t’i dhënë përparësi zbatimit të marrëveshjes. Xhyljeta Mushkolaje eksperte e lëmisë kushtetuese dhe ish gjykatëse e Kushtetueses, thotë se emërimi i komandantit policor është në kundërshtim me kushtetutën.

“Është diçka krejtësisht tjetër kur përcaktohet me një tekst të marrëveshjes ndërkombëtare që komandanti rajonal të jetë serb. Kjo është shkelje drastike dhe nuk është e njëjt me zgjidhjen që ka paraparë Ahtisari. Dokumenti i Ahtisarit kur flet për komandantet komunal të policisë, flet për pëlqimin e popullatës që jeton aty nuk e precizon a është serb”, thekson ajo, transmeton RTK-ja.

Sipas Mushkoljat kjo gjithashtu përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

“Nëse e shikojmë marrëveshjen e arritur kjo është një lloj vazhdimësie e dokumentit të Ahtisarit. Por, nëse e shikojmë pak ma me seriozitet ne i vërejmë disa shkelje qe i përkasin lirive dhe të drejtave themelore te njeriut”, theksoi ajo

Ndonëse ky emërim pretendohet të jetë një element që është vazhdimësi e pakos së Ahtisarit ligji në fuqi, për policinë nuk parasheh një pozitë të tillë me rregullimin ligjor për emërime regjionale. Përveç kësaj i emëruari Nenad Gjuriq sipas të dhënave të policisë është gjetur disa herë në shkelje ligji për të cilat ishte suspenduar nga hierarkia e policisë së Kosovës.

Sipas nenit 40 të ligjit për Policinë, Drejtorët Rajonalë të Policisë caktohen nga Drejtori i Përgjithshëm bazuar në standardin e gradave, pozitave dhe përshkrimit të vendeve të punës gjë që nuk i ka Gjuriq, i cili është emëruar nga ministri i punëve të brendshme.

Ndërsa sipas nenit 42, përzgjedhja e veçantë e komandantëve të stacioneve policore ku komuniteti serb është shumicë, bëhet nga ministri me rekomandim të udhëheqësve komunalë, por që në rastin Gjuriq është bërë me propozim të palës serbe në bisedime. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›