E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimi i ambasadorëve, Haxhinasto: Zbatuam ligjin

TIRANE - Qeveria është e bindur se ka respektuar ligjin në rastin e emërimeve të ambasadorëve në botë, duke hedhur poshtë akuzat e Presidentit se është tejkaluar me ambasadorët politikë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto, në një prononcim dje për “Gazeta Shqiptare” deklaroi se çdo propozim për ambasador të Republikës së Shqipërisë i është nënshtruar procedurave ligjore dhe në asnjë rast nuk ka vend për spekulime. “Në rastin e emërimeve kemi zbatuar ligjin. Nuk është Ministria e Jashtme ajo që çon kandidaturat tek Presidenti. MPJ i propozon tek Kryeministri, i cili kandidaturat i çon tek Presidenti, ndërkohë që kandidatura miratohet nga Komisioni parlamentar i jashtëm. Pra flitet për kandidatura që i kanë kaluar të gjitha këto hallka sipas ligjit. Kjo procedurë është e shkruar qartë në ligj”, - deklaroi z.Haxhinasto. Kreu i shtetit ka refuzuar disa nga kandidaturat e qeverisë për ambasadorë në vende të ndryshme të botës. Ai e argumenton këtë me faktin se emrat e propozuar janë kandidatura politike. Në emisionin “Tonight” zbardhi arsyet e mosfirmosjes së disa kandidaturave për ambasadorë.

“Është e drejta e Presidentit për të ruajtur një lloj ekuilibri që është me ligj. Ka një raport të caktuar midis trupës diplomatike të karrierës dhe atyre që katapultohen nga politika. Në rast se ky raport fillon e prishet, atëherë ai që bëhet garanti i parë për ta ekuilibruar dhe për të mos e lejuar që trupi diplomatik të mos dominohet nga katapultime politike është Presidenti”, - deklaroi z.Topi. Ai ka bërë të qartë se “ata që unë kam gjykuar se nuk duhet të dekretohen, ndoshta kanë qenë edhe për këtë arsye, ndoshta edhe për ndonjë arsye tjetër. Unë nuk kam propozime për Londrën. Mund të kem propozim për ndonjë ambasadë tjetër dhe kam pasur arsye të forta për të mos dekretuar, pikërisht për të garantuar atë që kërkohet sot në standardet e një vendi: të ketë patjetër një korpus diplomatik profesional që të ruajë një raport të caktuar në politikë”. Por edhe më parë ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto bëri të qartë se janë respektuar kuotat që parashikon ligji për emërimet politike të ambasadorëve. Ai vë në dukje se aktualisht nuk ka asnjë rast ku të jetë shkelur ligji, ku të jetë shkelur procedura normale e emërimit të ambasadorëve.

“Sigurisht, edhe ne me kuota të përcaktuara i kemi, por ajo që është e rëndësishme është që aktualisht nuk ka asnjë rast ku të jetë shkelur ligji, ku të jetë shkelur procedura normale e emërimit të ambasadorëve. Nuk ka asnjë vend dhe asnjë rast që ambasadori të ketë shkelur objektivat ose të ketë cënuar integritetin e funksionit që ai merr, atë të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, dhe të ketë cënuar cilësinë e punës që ai merr përsipër”,- është shprehur z.Haxhinasto. Për sa u përket vonesave, ministri ka thënë se “çështja e ambasadorëve duhet trajtuar në kohën e duhur, me shpejtësinë e duhur dhe me kriteret e duhura. Unë besoj se së shpejti do të paraqesim një paketë propozimesh për këto vende që thoni ju. Bota funksionon edhe në mënyra të tjera, konkretisht funksionon me të ngarkuar me punë për periudha të caktuara”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ambasadorët, Topi: Refuzoj firmën për emra politikë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›