E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra rusë në shesh kundër Putinit: Të japë dorëheqjen

Rusia realizon demonstratën më të madhe që pas rënies së Bashkimit Sovjetik kundër manipulimit të zgjedhjeve. Kritika dhe ironi për Putinin

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Moskë dhe në qytetet e tjera ruse në protestën më të madhe deri më tani, kundër mashtrimeve në zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit. Demonstrata në kryeqytet, që tërhoqi më shumë njerëz sesa ajo e dy javëve më parë, sinjalizon pakënaqësinë në rritje me regjimin e kryeministrit Vladimir Putin. Organizatorët thonë se më shumë se 100 mijë njerëz janë mbledhur në avenynë Saharov të Moskës. Shumë prej tyre brohorisnin “Rusia pa Putinin” dhe bartnin pankarta me sloganet “Rusia do të jetë e lirë”. Televizioni ‘Dozhd’ raportoi se 80 mijë njerëz kanë kaluar nëpër detektorët e metalit, ndërsa policia tha se në tubim morën pjesë 28 mijë njerëz. Aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalni, i liruar nga burgu këtë javë, pasi qëndroi për 15 ditë për shkak të pjesëmarrjes në protestat e mëhershme, përgëzoi turmën, për të cilën shumë vëzhgues thanë se është demonstrata më e madhe që nga rënia e Bashkimit Sovjetik dy dekada më parë. Ai tha se nuk do të tolerohet më vjedhja dhe mashtrimi, ndërsa e përshkroi lëvizjen si paqësore. “Votat tona janë vjedhur dhe ne jemi këtu për të thënë: Na e ktheni atë që është e jona. Ne nuk do të heqim dorë nga ajo që na përket. Mos na thoni që të presim deri në vitin 2013. A dëshironi të prisni?” e pyeti turmën, Navalni, për të marrë një “JO” të fuqishme. Protestuesit kërkojnë anulimin e rezultateve të 4 dhjetorit, në të cilat partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, mezi ruajti shumicën në Dumën shtetërore, në mes të raporteve për manipulime të mëdha. Ata po ashtu, kërkojnë që në zgjedhjet e reja të marrin pjesë edhe partitë që nuk u lejuan të regjistroheshin në ato paraprake. Gjithashtu, kërkohet edhe shkarkimi i zyrtarëve kryesorë të Komisionit Zgjedhor. Në përpjekje për të zbutur pakënaqësinë në rritje, presidenti Dimitri Medvedev propozoi të enjten një seri masash reformuese. Duke iu adresuar turmës, figura kryesore e opozitës dhe ish-zëvendëskryeministri, Boris Nemcov, tha se nuk i beson Medvedevit. “Ne nuk iu besojmë premtimeve të fundit të Medvedevit për reforma politike. Nuk i besojmë atij. Ai tashmë ka premtuar modernizimin, inovacionin, ka thënë se ‘liria është më e mirë se joliria’. Ai shkruan mirë, por është e vërtetë se ai kurrë nuk u bë president”, tha Nemcov. Ish-ministri i Financave, Aleksei Kudrin, një ish-aleat i ngushtë i Putinit, që dha dorëheqjen në fund të shtatorit dhe që nga atëherë ka shprehur mbështetjen për protestuesit, po ashtu iu drejtua masës. Ai paralajmëroi se Rusia rrezikon një revolucion të ri, nëse nuk do të ketë dialog në mes të Kremlinit dhe protestuesve. “Jam këtu sot, sepse unë jam për zgjedhje të ndershme. Nuk pajtohem me rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe mendoj se secili që është përgjegjës duhet të japë llogari, madje edhe të përndiqet, si dhe kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Vladimir Kurov duhet të shkarkohet”, theksoi Kudrin. Ai shtoi se Duma e re shtetërore duhet të miratojë reformat zgjedhore dhe pastaj të shpërndahet, në mënyrë që të mbahen zgjedhjet e reja. Kordonë të rreptë sigurie rrethuan protestuesit, të cilët është dashur të kalojnë nëpër detektorë të metalit për të shkuar në vendin e protestës, që ishte i rrethuar me barriera metalike. Një helikopter i policisë fluturonte vazhdimisht mbi masën e tubuar. Megjithatë, protesta në kryeqytet u zhvillua në masë të madhe pa asnjë incident dhe u mbajt në frymë festive. Në protestë, gazetarja Olga Romanova tha se ndryshe nga autoritetet, populli rus nderon kujtimet për Havelin. “Ne, po ashtu mbajmë zi për Vaclav Havelin, njeriun që e udhëhoqi popullin nga komunizmi në liri përmes Revolucionit të Kadifenjtë. Askush nga Kremlini nuk i dërgoi ngushëllime Republikës Çeke. Është turp! Një turp! Rusia nuk është e tillë. Rusia është me Havelin. Le ta kujtojmë Havelin me një minutë heshtjeje”, tha gazetarja ruse, Olga Romanova. U raportua se protestuesit kanë mbajtur në duar portrete të Havelit me sloganin: “Na duhet një president i tillë”. Po ashtu, ka shumë aludime në komentet e Putinit më 15 dhjetor, ku i krahasoi fjongot e protestuesve me kondomë. Gazetari dhe kritiku i muzikës, Atemi Troitski iu adresua turmës i veshur si kondom dhe një protestues mbante një poster që shfaqte Putinin me një kondom në kokë, të vënë si shami gjyshesh. Dikur shumë i fuqishëm dhe i popullarizuar - Putin që udhëhoqi Rusinë për 12 vjet - në dy mandate presidenciale dhe si kryeministër - supozohet se do të fitojë edhe zgjedhjet presidenciale të muajit mars. Po qe se ndodh kjo, ai do të mbetet në pushtet deri në vitin 2024. Partia e tij, Rusia e Bashkuar ka humbur 77 vende në Dumën shtetërore, që është një shenjë e frustrimit të popullit me dominimin e Putinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›