Emërvende të përçudnuara me kompjuter
Dy telefonime të ndryshme:
Një gazetare e përgjegjshme, e një televizioni informativ, i telefonoi dikujt:
“Si shkruhet, Roskovec apo Rroskovec, domethënë, me “R” apo me “Rr”?”
Një qytetar i telefonoi një televizioni duke bërë vërejtje, pasi kishte lexuar emrin e vendlindjes në lajmet e shkruara në fund të ekranit:
“Unë jam lindur në Çermë, vendlindja ime nuk quhet cermè!”
Ky nuk është një problem telefonimi a telefonimesh, por si pa kuptuar, Shqipëria po rrëshqet në tjetërsim të një numri të madh emërvendesh. Nuk është e panjohur nisma e Mbretërisë Shqiptare, që pati përgatitur një listë emërvendesh për t’i ndryshuar. Me të qe synuar të ndreqeshin disa emërvende me kuptim të keq a të shëmtuar si dhe një numër emërvendesh kryesore të thirrura në sllavisht. Ajo listë u përpilua për të vepruar, por zëvendësimet nuk ndodhën. Duhet besuar që, ndryshimet nuk u kryen për shkak se Mbretëria nuk pati kohën e mjaftueshme - ajo u rrëzua pas pushtimit fashist të vendit dhe pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Gjatë sistemit socialist ajo listë nuk u nxor nga arkivi (për më tepër që ishte e Mbretërisë), por një tjetër e re, as që u mendua. Emërvendet në sllavisht, komunizmi shqiptar asqë guxoi t’i prekte, për arsyen e thjeshtë: Pushteti komunist në Shqipëri u fut në dy aleanca të forta, të njëpasnjëshme - me Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë dhe, pas prishjes me Titon, vijoi me Stalinin dhe Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike. Edhe po të donte pushteti komunist në Shqipëri - nuk mund të niste të shkruante as germën e parë, sepse do të cilësohej antisllav; por ai nuk donte të ndryshonte as dhe një shkronjë, pasi pushteti komunist ishte i pikëpamjes se proletariati nuk ka atdhe dhe, veç kësaj, drejtuesit qenë nostalgjikë sllavë, një pjesë për shkak të kulturimit atje. Por, gjatë sistemit socialist, u ndryshuan disa emërvende dhe u sajuan disa të tjerë që nuk kishin ekzistuar. Ato u bënë vetëm për arsye ideologjike, për të rrënjosur socializmin në jetën e njerëzve, duke i thirrur e dëgjuar kolektivisht dhe ditë për ditë disa emërvende, siç detyronte Partia e Punës. Kështu, në Fier, fshati afër Libofshës, i cili u numërtua si përmbyllës i elektrifikimit, u pagëzua Agim. Kurse, një fshati afër Apolonisë, po në Fier, që e ka pasur emrin Shën Pjetër - aty janë vendosur një pjesë e ngjarjeve të romanit “Lumi i vdekur”, i shkrimtarit Jakov Xoxa - u ndryshua në Fushë, pas goditjes së tmerrshme që mori feja në vitin 1967. Në Ersekë një fshati iu vu emri Çlirim, ndërsa kombinati metalurgjik në Elbasan u pagëzua “Çeliku i Partisë”; hidrocentrali i Komanit u emërtua “Drita e Partisë”; hidrocentralet e ndërtuar më herët, u emërtuan “Lenin”, në Tiranë,“Karl Marks” në Ulzë dhe “Frederik Engels” në Shkopet, të Matit; ndërsa, “Stalin” u pagëzua hidrocentrali i Bistricës, në Sarandë, duke e barazuar dukurinë e mrekullueshme fizike të ndriçimit, me ndriçimin e gjithçkaje nga mësimet e katër klasikëve të marksizëm - leninizmit, Marks-Engëls-Lenin-Stalin. “Klasiku i pestë” - Enver Hoxha, i pashpallur si i tillë por i emërtuar si në heshtje nga PPSH, qe kudo, që nga Piramida, Universiteti i Tiranës, kooperativa bujqësore nëpër skaje, e deri me gërma gjigande në majën e malit të Shpiragut. Pas ndryshimit të sistemit, emërvendet ideologjike u heshtën e u harruan, ndërsa Qyteti Stalin thirret si gjithëherë - Kuçovë. Por, me futjen e teknologjisë kompjuterike e celulare, me shpërfaqjen e mangësive serioze në njohuri të thjeshta gjeografike, të papërgjegjësive editoriale në televizione dhe gazeta, për të qenë të saktë jo vetëm me faktet, por edhe me emërvendet ku ndodhin ngjarjet, është shkarë tashmë në një ndryshim të shumë të tyre, nëpërmjet zëvendësimit të shkronjës “ç” me “c”, dhe duke shfarosur shkronjën e domosdoshme “ë” në to. Gazetarët dhe drejtuesit e mediave, duhet të besojnë që, njerëzit qeshin me emrat e ndryshuar, edhe tallen gjithashtu, nga që, përveçse të përçudnuar, disa herë ato marrin edhe kuptime qesharake. Është për të ardhur keq që, edhe nëpër dokumente zyrtare bëhen këso lëshimesh të pafalshme nga përpiluesit e tyre, vijojnë asisoj nga operatoret në kompjuter, pastaj gabimet i firmosin drejtuesit eprorë dhe më në fund u vihen vula të mëdha, pa u vrarë asfare mendja se, problem nuk është gabimi në një rast, por në rastet e panumërta vulosen emërvende të tjetërsuara, ndërsa banorët i thërrasin siç janë. Shqipëria nuk është me hapësirat e Rusisë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës a të Kinës, por as dhe të shteteve me madhësi mesatare të Europës. Kontrolli për t’i shkruar saktë emërvendet e Shqipërisë së vogël është fare i thjeshtë. Le të përqasim një shembull të përjavshëm: gazetarët sportivë, thuajse, nuk i gabojnë, as në të shkruar e as në shqiptim, emrat e futbollistëve të shumtë të huaj, që janë shumë e më shumë se sa numri i fshatrave tanë, sepse 22 lojtarët e një skuadre janë numër ku e ku më i madh se sa numri i fshatrave në një komunë tonën. Mediat, me ndihmën e Ministrisë së Brendshme, dhe të pushtetit vendor, domethënë të qarqeve, prefekturave e nënprefekturave, mund të përpilojnë një libërth të vogël emërvendesh. Nëse ka dyshim, në saktësinë e të shkruarit a të thirrjes, të një emërvendi ku ka ndodhur ngjarja, gazetari mjafton t’i referohet kësaj liste të thjeshtë. Ndërsa është edhe më e pafalshme, për dokumentet që përpilohen me gabime nga pushteti vendor, sepse atje emërvendet njihen nga të gjithë dhe prej tyre nuk thirren të përçudnuar. Por zgjidhja nuk vjen as me kaq: nuk duhet lejuar as dembelizmi i shkruesve me kompjuter, të cilët përtojnë të gjejnë kur duhet “ç” e i mëshojnë “c”-së, dhe kur duhet “ë” i mëshojnë “e”-së, pa i çuar nëpër mendje përgjegjësinë dhe dëmin. Mbretëria deshi të ndryshonte një numër emërvendesh, dhe nuk arriti; socializmi nuk deshi t’i ndryshonte, dhe nuk e bëri; në demokraci vërehet keqpërdorim i lirisë, sepse po shkohet drejtë ndryshimit të emërvendeve përmes teknologjisë, për shkak të papërgjegjësisë, mungesës së kulturës, dembelizmit, moskontrolli dhe mosvënies para përgjegjësisë nga shteti. Realiteti në terren është tjetër, realiteti mediatik bëhet tjetër. Kjo mospërputhje është e papranueshme, madje duhet të jetë edhe e ndëshkueshme, sepse gjendet e kundërligjshme.