E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria do kontrollojë hapësirën ajrore të Kosovës

29-01-2012 / Gazeta 55

Marrëveshja, Olldashi: Administrimi, derisa Prishtina të krijojë kapacitetet e veta

Shqipëria dhe Kosova ranë dakord dje që të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje optimale për problemin e administrimin të hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës.
Kjo u vendos në takimet që zhvilloi ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministrin e Infrastrukturës të Kosovës, Fehmi Mujota.
Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës, në nivelin mbi 8500 metra administrohet deri më tani nga NATO, ndërkohë që Aleanca ka vendosur që së shpejti kjo hapësirë të administrohet nga Autoritete të Aviacionit Civil. Shqipëria është ofruar e gatshme të bëjë administrimin për llogari të Kosovës derisa Prishtina të krijojë kapacitetet e veta teknologjike dhe njerëzore.
Nga ana tjetër, Olldashi dhe Mujota ranë dakord të ngrihet grupi i përbashkët teknik i ekspertëve që do të ndjekë në vijimësi të gjithë problematikën e koordinimit dhe zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimet respektive infrastrukturore dhe në fushën e transporteve.
Një tjetër çështje që gjeti angazhimin e dyanshëm të titullarëve të transportit ishte ekzaminimi i mundësive të rivendosjes së fluturimeve direkte Tiranë – Prishtinë, pas ndërprerjes që këto patën si rrjedhojë e hapjes së autostradës Durrës – Morinë dhe më pas Vërmicë – Duhël.
Ministrat ranë dakord të shikojnë mundësinë e aplikimit të tarifave lehtësuese për operatorët e mundshëm ajrorë, për ta bërë konkurruese dhe transportin ajror.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›