E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigracioni klandestin, tani krim

Qeveria e re italiane, që ka mbajtur mbledhjen e parë të saj në Napoli, i ka dhënë udhë paketës së re të masave mbi sigurinë që nga tani e tutje, e klasifikojnë emigracionin klandestin, një krim. Dhe kjo, është vetëm një ndër masat e projektligjit të miratuar nga qeveria, që veç të tjerash parashikon edhe një dënim nga gjashtë muaj deri në katër vite burg. Paketa e re e sigurisë lë në fuqi edhe rëndimin me një të tretën e dënimit për rastet e krimeve të kryera nga të huaj pa dokumentacion të rregullt. Gjykatësit mund edhe të urdhërojnë dëbimin e një të huaji apo largimin nga territori italian të një qytetari që i përket një vendi anëtar të BE-së, përveç rasteve të parashikuara nga ligji kur i huaji dënohet edhe me burg për një kohë mbi 2 vjet. Kjo paketë e re masash ka ndezur ndërkohë një varg debatesh e kritikash. Në Itali, ka reaguar edhe kisha katolike, sipas së cilës, nuk nevojiten rregulla të posaçme pasi mjaftojnë ato ekzistueset. Ashpërsimi i masave kundër emigrantëve në Itali ka qenë edhe një premtim i bërë gjatë fushatës elektorale që solli Silvio Berluskonin në pushtet, për të tretën herë, por konkretizimi i këtij premtimi, ka ngjallur edhe kritika nga vendet e Bashkimit Evropian. Sipas korrespondentëve në Romë, shpesh, publiku italian, ka perceptimin, të drejtë apo të gabuar, se emigrantët janë përgjegjës për rritjen e krimeve në vend. Ndërkohë, në mbledhjen e kabinetit të zhvilluar në qytetin jugor të Napolit, temë kryesore ishte edhe kriza e plehrave që po i merr frymën prej muajsh të gjithë banorëve të zonës. Këta të fundit, në shumë raste janë rebeluar dhe u kanë vënë zjarrin pirgjeve me mbeturina që po u vështirësojnë jetën. "Duam që Napoli të lulëzojë", ka thënë Berluskoni në përfundim të mbledhjes të zhvilluar në këtë qytet, duke konfirmuar kështu se kriza e plehrave përbën edhe provën e parë të ekzekutivit. Pikërisht për këtë qëllim është miratuar edhe një projektligj në të cilin janë individualizuar edhe vendgrumbullimet e reja ku do të depozitohen mbeturinat. Gjithsesi, detajet janë mbajtur sekret deri në botimin në fletoren zyrtare. Për të kapërcyer krizën e plehrave, veç të tjerash, do të ndërtohen edhe tre impiante të përpunimit të plehrave dhe në të ardhmen, do të angazhohen edhe ushtarët për të ndihmuar në kthimin e situatës në normalitet. Për të përballuar situatën madje do të krijohet edhe një task forcë e përbërë nga ekspertë të qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Mbledhja e kabinetit në Napoli u shoqërua nga masa të rrepta sigurie, ndërkohë që ishin paralajmëruar edhe një numër manifestimesh. Ndërsa qyteti priste ministrat e kabinetit "Berluskoni", plehrat që kishin bllokuar pusetat dhe kanalizimet, bënë që rrugët e qytetit të shndërroheshin në lumenj për shkak të reshjeve të shiut. Vetëm në qytetin e Napolit, gjenden akoma tre mijë tonë plehra, ndërsa vazhdon mbledhja e tyre e filluar të hënën e shkuar. Në qendër të qytetit rrugët ishin pastruar, po ashtu edhe itinerari nga do të kalonte Kryeministri dhe ministrat e tij, por në periferi, gjendja mbetej alarmante.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›