IMK, Sindikata e Artistëve kundër reformes
Sindikata e Pavarur e Artistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, nëpërmjet një letre, kundërshton vendimin për një reformim të këtij institucioni të ndërmarrë nga drejtori aktual, Lorend Bejko. Ata kërkojnë bërjen transparente të të gjitha hapave që janë ndërmarrë për ristrukturimin e këtij institucioni, si dhe fillimin e bisedimeve midis drejtorisë dhe përfaqësuesve të sindikatës kjo reformë të realizohet në shërbim të programit qeverisës. Këto shqetësime, kjo sindikatë i shpreh dhe në letrën drejtuar ministrit të Kulturës, Ylli Pango, Kryeministrit Sali Berisha, Presidentit Bamir Topi. "Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë dhe Sindikata e Pavarur e Institutit të Monumenteve të Kulturës kërkojnë nga Ju si organe shtetërore, të mbroni parimet mbi të cilat ngrihet një shtet modern evropian. Struktura e paraqitur nga Drejtoria e IMK organeve eprore, mbart disa elemente përmbajtësore dhe formale, që e bëjnë atë të paargumentuar", thuhet në letër. Sipas tyre, shmangia nga objektivat e këtij institucioni konsiston në disa elementë siç është mungesa e argumenteve ligjore dhe buxhetore për ristrukturim, sepse qeveria shqiptare nuk e ka ulur numrin e punonjësve të MTKRS, pjesë e së cilës është edhe IMK, numri i punonjësve mbetet 1105 punonjës. "Ky ristrukturim nuk respekton ligjet në fuqi lidhur me moshën e pensionit, personave që ndiqen nga prokuroria, punonjësit që janë të përfshirë në korrupsion dhe të denoncuar, por që nuk preken nga ristrukturimi etj. Eliminimi ose fryrja e strukturës së paraqitur për arsye nepotike, klanore dhe afera korruptive. Ne kemi dhe shembujt konkretë", thuhet ndër të tjera në letër.