E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Kristinës që takoi djallin

Të shtunën, në orën 12.00, shfaqet premierë, në kinema "Imperial" në hotel "Sheraton" filmi me metrazh të shkurtër, "Rrëfimi i Kristinës", me regji të Xhoslin Ramës, e skenar të Fatos Baxhakut e MIhal Ramës. Filmi është i kategorisë me metrazh të shkurtër dhe i përket gamës së filmave të përzgjedhur nga Qendra Kinematografike Shqiptare. Xhoslin Rama, regjisor i filmit, është student në vitin e tretë për Regji Filmi në Akademinë e Arteve dhe e konsideron si privilegj faktin se si student, ka arritur të realizojë një film 25 minutësh, me një subjekt tejet delikat dhe në zhanrin e thrillerit psikologjik. Kur themi subjekt delikat, nuk është fjala për klasifikime mes diçkaje që është e rëndësishme, e një tjetër jo të rëndësishme. Të paktën arti e ka pasur dhe vijon të ketë dhe këtë mision qyshse është bërë gjuhë subkoshiente e njeriut: që të përçojë mesazhin se në jetë, janë disa çaste ato që vendosin kumtin e ekzistencës, ndërsa koha është vetëm se veshja e tyre. Më konkretisht, subjekti trajton çështjen e besimit të vendosur në një raport mes vetes e të tjerëve. Dhe kush mund të thotë se kur është fjala për besimin e raportin mes vetes e të tjerëve, paskan të thënat e recetat?! Shembulli i Kristinës, i jep përgjigje të kundërtës. Kristina është boshti i filmit. Më saktë, rrëfimi i saj. Djalli është boshti tjetër. Kristina ka takuar djallin. Po po, e ka takuar. Është e bindur në këtë, tejet e bindur. Dhe nuk ngurron ta shprehë, ta thotë, ta rrëfejë, ta zbulojë te të tjerët, se ajo e ka parë djallin. Edhe njëherë, ajo jo thjesht ka dëgjuar, por e ka parë atë. Mirëpo, e beson kush?! Do të donte ta besonin në radhë të parë kolegët e saj të hetuesisë, ku ajo punonte si sekretare, sepse aty e ka parë. Por jo, se për djallin thuhet se nuk mund ta shohësh, ngase në të kundërtën do i humbiste misioni i lig i të mashtruarit. Kjo gjendje, pra fakti se askush nuk e beson Kristinën, e çon atë drejt çmendurisë derisa ngujohet brenda mureve të një spitali psikiatrik. Aty, ajo përballet me priftin, i vetmi që mund ta besojë e ndaj nis e rrëfehet tek ai. Pra, pikërisht te prifti, me gjasë një përfaqësues perëndie mbi tokë që ka njohje më të plota mbi djallin. Kristina përballë priftit! Njeriu më raso është shpresa e fundit e vajzës së marrë për t‘u besuar se vërtet ajo e ka takuar djallin. Dhe vërtet është prifti ai që e siguron për këtë; i jep provën e pakundërshtueshme që ajo vërtet e ka takuar djallin. Sepse në fakt, ajo dhe rrëfimin për takimin me djallin, para djallit e ka bërë. Nga një tatuazh te dora e njeriut më raso, Kristina njeh djallin e veshur si prift. Po, prifti është vetë djalli! E ky është pak a shumë subjekti i filmit, ku në rolet kryesore janë Suela Bako në rolin e Kristinës, Elvis Lula në rolin e djallit dhe priftit sigurisht, Mihal Rama (që është njëherësh dhe skenarist), në rolin e hetues Jakovit, Florand Veizi në rolin e hetues Danielit,

Indrit Mesiti në rolin e Robertit e

Vivian Rama në rolin e Andit. Regjisori

Xhoslin Rama (që ka përfshirë në film dhe të atin e vëllain), thotë se ngacmimin për ta realizuar këtë film e pati kur i ra në dorë subjekti. Edhe pse thjesht një student, ai shprehet se këmbëngulshëm, duke llogaritur dhe ndihmën e pedagogut të tij, Gjergj Xhuvani, arriti ta konkretizojë atë që dukej paksa si ëndërr naive që nga çasti kur vendosi ta dorëzojë për konkurrim në Qendrën Kinematografike Shqiptare.

"Janë ca gjëra që nuk thuhen as me roman, as me pikturë e as me muzikë, por thuhen vetëm më gjuhën e filmit, e filmi duhet parë që të kuptohet", shprehet regjisori riosh, Xheslin Rama, duke shtuar se mesazhi që përçon filmi është i dimensioneve të ndryshme, varësisht nga të kuptuarit. Por kryesori sipas tij, është raporti mes individit e të tjerëve në çështjen e besimit si princip. Si lajtmotiv i filmit "Rrëfimi i Kristinës, mund të shërbejë teza se besimin nuk është nevoja ta gjesh te të tjerët; atë mund gjesh brenda vetes. Nëse Kristina beson se e ka parë djallin, ajo e ka parë atë edhe sikur të tjerët të mos e besojnë. Tjetër lajtmotiv i filmit të Xhoslin Ramës, është dhe ai që djalli është mes nesh e për këtë sakrifikon dikush si Kristina me katandisjen në paciente psikiatrie, për të na e treguar se që ta takosh djallin nuk është dhe aq anormale dhe e pabesueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›