E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liban, arrihet marrëveshja, Suleiman, nesër President

Liderët rivalë libanezë kanë rënë dakord që t‘i japin fund krizës politike që ka shkaktuar në vend dhunën më të ashpër që pas luftës civile të viteve 1975-1990. Qeveria, e mbështetur nga Perëndimi dhe opozita prosiriane, arritën në një marrëveshje disa ditë pas bisedimeve në Katar. Sipas marrëveshjes, opozita e kryesuar nga lëvizja politike dhe grupi militant, Hezbollah, do të ketë fuqinë e vetos në një kabinet të ri të unitetit kombëtar. Marrëveshja gjithashtu i hap rrugë edhe zgjedhjes së një Presidenti të ri, i cili mungon në Liban që nga nëntori. Korrespondentët thonë se marrëveshja përbën një triumf të madh për Hezbollahun, kërkesat e të cilit janë plotësuar. Në një fjalim në një ceremoni në kryeqytetin e Katarit, Doha, në të cilën u firmos edhe marrëveshja, Kryeministri Fouad Siniora, tha se ishte një marrëveshje e jashtëzakonshme, në kohën e duhur. Ministri i Telekomunikacioneve, Marvan Hamadeh, tha në anën tjetër se nuk kishte asnjë humbës nga kjo marrëveshje. Saad Hariri, një politikan sunit që kryeson qeverinë e koalicionit, tha se marrëveshja hap një kapitull të ri për Libanin. Lideri i delegacionit të Hezbollahut, Mohammed Raad, tha se ajo do të ndihmonte në forcimin e bashkëjetesës dhe ndërtimin e shtetit. Marrëveshja i jep bllokut opozitar të kryesuar nga Hezbollahu vende të mjaftueshme në kabinetin qeveritar për përdorimin e vetos. Ajo gjithashtu parashikon ndryshime në ligjin zgjedhor që do të jetë vendimtar në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Çështja më e kundërshtuar ishte ajo e përmasave të arsenalit të Hezbollahut, pjesë e të cilit është përdorur në fillim të muajit për të marrë kontrollin e përkohshëm në zonat perëndimore të Bejrutit, por fatmirësisht, edhe ajo është zgjidhur. Marvan Hamadeh tha se marrëveshja ndalon përdorimin e brendshëm të armëve dhe kërkon dialog mbi subjektin e armatimeve. Hezbollahu, që mbështetet nga Siria dhe Libani, ka refuzuar të dorëzojë arsenalin e tij, duke argumentuar se ai është thelbësor në betejën kundër Izraelit. Marrëveshja e arritur u përshëndet menjëherë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan atë një zhvillim shumë të mirëpritur. Ajo i hap rrugën tani Parlamentit, të zgjedhë shefin e ushtrisë, gjeneralin Michel Suleiman, si President të vendit, çka sipas zyrtarëve, pritet të ndodhë të shtunën. Prej muajsh, gjenerali Suleiman, ka qenë kandidati i pranuar nga të gjitha palët për të pasuar Presidentin prosirian, Emil Lahud, por mosmarrëveshjet kanë penguar në mënyrë të përsëritur votimin në Parlament. Pas kësaj, pritet që në vend tensionet të ulen dhe të kthehet normaliteti. Pavarësisht nga kjo, siç vërejnë analistët, shumëkush në Perëndim, ndërsa duartroket hapat e klasës politike në Liban dhe nxjerrjen e vendit nga kriza ku kish rënë, e shohin këtë një zhvillim negativ për vetë faktin se bëhet fjalë për një lloj fuqizimi të Hezbollahut. Libani është zhytur në krizë politike që në fund të 2006-s, kur opozita u largua nga qeveria e unitetit kombëtar, duke kërkuar më shumë fuqi dhe të drejtën e vetos mbi vendimet e qeverisë. Kriza u bë e dhunshme dy javë më parë, kur betejat nëpër rrugë mes mbështetësve të dy fraksioneve, i morën jetën të paktën 65 personave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›