E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrante vershojne Kosoven ne prag te pavaresise

Mergimtare te shumte po vizitojne Kosoven ne prag te shpalljes se pavaresise se saj, nderkohe qe jane bere pergatitje te ndryshme per ta festuar ate. Hamze Lladrovci ka arritur sot ne Kosove, nga Belgjika me qellimin e vetem- te jete i pranishem ne castet kur institucionet te shpallin pavaresine e Kosoves. “Qellimi i vetem eshte shpallja e pavaresise, qe ta festojme ne Kosove dhe asgje tjeter. Thene sinqerisht une eshte dashur te rri edhe dy jave ne Evrope, se kam pasur pune, por i kam nderprere te gjitha, vetem qe te vij dhe festoj ne Kosove. Besoj se do te jete dicka e papershkrueshme, se kjo dite eshte e shenjte per ne, pritet qe nje kohe shume te gjate dhe do ta festojme se bashku”, thote Lladrovci.
Ngjashem si Lladrovci, Aeroportin e Prishtines jane duke e vershuar qindra mergimtare nga shtetet e Evropes Perendimore, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, te cilet nuk duan qe t’iu ike casti per te cilin thone se e kane enderruar tere jeten, jo vetem ata, por edhe brezat e mehershem- lindja e shtetit te Kosoves. Njoftimet se me 17 shkurt do te shpallet pavaresia, e kane shtyre edhe Nysret Haxhidemen nga Shtutgarti i Gjermanise, qe ta marre pushimin me heret, ne menyre qe te jete i pranishem, ne ate qe ai e quan festen me te madhe te shqiptareve. ”Normalisht e kam pasur pushimin me vone, por puna e pavaresise e mora tash ne kete kohe. Do te dale te festoj, kete dite e kemi pritur qe sa vite qe sa shekuj”, shprehet Haxhidema. Muhamet Topalli, i cili punon si kuzhinier ne Gjermani thote se mezi pret diten kur edhe do te shpallet pavaresia. Ai eshte i bindur se pas pavaresise do t’i ndryshohet edhe trajtimi ne vendin ku jeton perkohesisht, meqe te pakten tani e tutje ne rast nevoje do te kete nje adrese per t’iu drejtuar- ambasades, apo ministrise se jashtme te Kosoves.
“Sigurisht se ndjehem shume mire, e kemi pritur kete dite me shekuj”, thote Topalli, teksa bart valixhet drejt parkingut te Aeroportit nderkombetar te Prishtines. Azemine Hoxha nje grua ne te 60-tat, thote se do te dale dhe festoje, meqe sipas saj, kjo do te jete dite e madhe per te gjithe shqiptaret. “Do te festoje si eshte me se miri, kete e kemi pritur, dhe mezi po e presim”, thote Azemine Hoxha. Zyrtare te Aeroportit te Prishtines thone se fluksi i pasagjereve eshte rritur per 26 per qind. Zedhenesi i Aeroportit Skender Bucolli, thote se eshte rritur edhe numri i fluturimeve. “Zakonisht muaji shkurt sa i perket numrit te udhetareve eshte mjaft i plogesht. Nuk ka udhetare shume, por, kete vit ky muaj ka shenuar nje ngritje shume te madhe prej 26 per qind. Kjo ngritje prej 26 per qind dhe ngritja e fluturimeve prej 6 per qind sigurisht se eshte ne prag te festimit te pavaresise se Kosoves”, thote Bucolli.
Ne anen tjeter, vete kryeministri i Kosoves Hashim Thaci u ka kerkuar kompanive ajrore kosovare, qe te mos ngrinin cmimet e biletave dhe t’u lehtesojne udhetimin qindra mergimtareve, qe duan te jene te pranishem ne Kosove ne kohen e shpalljes se pavaresise. ”Qytetareve te Kosove qe jetojne ne diaspore dhe qe jane duke shtuar interesimin qe te jene prezent ne ditet e shpalljes se pavaresise, ne ditet e festes se madhe, ne ditet e festes dinjitoze te vendit dhe t’u lehtesohet ardhja e tyre. Ne asnje rrethane te mos kete ngritje te cmimeve te biletave, por thjesht te kete nje perkujdesje dhe nje lehtesim per udhetimin e tyre”, tha kryeministri Thaci. Ndryshe, jo vetem kosovaret qe jetojne jashte vendit kane vershuar Kosoven. Tafil Krasniqi eshte nje nga shume qytetare te Shqiperise qe tashme gjenden ne Kosove dhe arsye per kete eshte- pritja e pavaresise. “Kam ardhur ne Kosove me gezim te madh dhe me padurim e pres pavaresine e Kosoves, sikur me lind pasi kam gjakun ne Kosove, per mua eshte njesoj si Kosova si Shqiperia dhe per mua gezim me te madh nuk ka se sa me pa Kosoven e pavarur”, tha Krasniqi. Ne Kosove tashme kane filluar pergatitje te ndryshme se si do te festohet pavaresia, e cila pritet te shpallet kete te diel. Qeveria e Kosoves ka formuar nje grup te vecante per te aranzhuar aktivitetet publike per nder te pavaresise, per te cilat aktivitete po ashtu jane ndare nje milione euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›