E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkluzionet e dialogut, jo detyruese për qeveritë

Çfarëdo lloj ndryshimi në skenën politike të Kosovës apo të Serbisë mund të hedhë poshtë gjithë marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun e realizuar në Bruksel. Kjo, sepse konkluzionet e arritura nga palët nuk përkufizohen si marrëveshje ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas një njohësi të Kushtetutës konkluzionet nuk janë të cilësuara si ndërkombëtare dhe për pasojë nuk kanë asnjë detyrim kushtetues dhe askush nuk është i detyruar për t`i implementuar as në Kosovë dhe as në Serbi.
“Por, shtrohet një pyetje këtu, cili pushtet, para së gjithash në Kosovë, do të shpërfillte konkluzionet pas të cilave qëndrojnë BE-ja dhe SHBA-ja? Unë them se asnjëri” ka theksuar më tej ai.
Që kur ka nisur dialogu Kosovë-Serbi rreth një vit më parë, janë arritur disa marrëveshje të emërtuara si “konkluzione”. Ato nuk kanë firmat e përfaqësuesve të të dyja vendeve, por pas marrëveshjes nga palët për përmbajtjen, ndërmjetësi i dialogut Robert Cooper, një zyrtar i autorizuar i BE-së në rolin e lehtësuesit të dialogut, i bën publike ato. Ngaqë janë të tilla, nuk janë paraqitur për aprovim në Kuvend.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›