E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, firojnë dërgesat nga jashtë

Një nga burimet më të rëndësishme financiare për ekonominë shqiptare, dërgesat e emigrantëve duket se po arrijnë limitin e tyre fundor, pasi të dhënat e dy viteve të fundit tregojnë për një rënie të fortë të ritmeve të rritjes. Të dhënat zyrtare për vitin 2007, nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se ritmi i rritjes së dërgesave nga jashtë ishte vetëm 1.2 për qind, në një kohë që tre vjet më parë kjo rritje ishte 26 për qind. Për rrjedhojë, ndryshe nga vitet e tjera të ardhurat nga emigrantët nuk kanë mundur të kompensojnë rritjen e madhe të deficitit tregtar në llogarinë korrente. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore, gjatë vitit të kaluar emigrantët dërguan në Shqipëri 947.8 milionë euro, nga 933 milionë të vitit 2006. Rritja e dërgesave për këtë vit ka qenë vetëm 1.22 për qind. Për vitin 2005, dërgesat e emigrantëve kanë qenë rreth 939 milionë euro, me një rritje të fortë krahasuar me një vit më parë. Për vitin 2004, dërgesat nga emigrantët kanë qenë 972 milionë dollarë, ose e konvertuar me kursin e asaj kohe, gati në 745 milionë euro. Për rrjedhojë, rritja e dërgesave për vitin 2005 krahasuar me 2004-ën ka qenë gati 25 për qind. Edhe për vitin 2004, rritja krahasuar me një vit më parë ka qenë gati 25 për qind. Tendenca shqetësuese e viteve të fundit është një kambanë alarmi, aq më tepër kur deficiti tregtar sa vjen e rritet.

Llogaritë

Dërgesat e emigrantëve janë burimi kryesor me të cilin Shqipëria financon deficitin e saj të madh tregtar. Për vitin 2007, kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 44 për qind, me një rënie me 11 pikë përqindje kundrejt vitit të kaluar, ku dërgesat e emigrantëve kanë mbuluar rreth 55 për qind të deficitit tregtar të Shqipërisë. Hendeku në rritje mes eksporteve dhe importeve është shndërruar tashmë në një problem të madh për ekonominë shqiptare. Kjo për shkak se ekonomia shqiptare nuk po arrin të jetë konkurruese në arenën ndërkombëtare me produktet e saj, çka është pasqyruar tërësisht në një deficit tregtar që për vitin e kaluar arriti në gati 2.3 miliardë euro. Deficitit të lartë tregtar nuk kanë mundur t‘u bëjnë dot ballë as dërgesat e emigrantëve dhe as prurjet nga turizmi. Kjo ka bërë që llogaria korrente e Shqipërisë të mbyllet me një deficit prej 878 milionë eurosh me një rritje prej rreth 64 për qind kundrejt vitit 2006, duke qenë i barasvlefshëm me rreth 11 për qind të PBB-së.

Dërgesat

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 190 mijë nga 728 mijë familje ose afro 26 për qind e totalit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Fluksi mesatar vjetor i dërgesave të emigrantëve për familje, vlerësohet afërsisht në 1 900 euro dhe ndryshon nga qyteti në qytet. Dërgesat janë më të shpeshta në zonat rurale. Rreth 59 për qind e familjeve pritëse banojnë në zonat rurale dhe rreth 41 për qind e tyre, në zonat urbane. Po kështu, në zonat rurale, totali i përfituar gjatë vitit përfaqëson rreth 64 për qind të totalit të përgjithshëm të remitancave vjetore.

Dërgesat, arma kundër varfërisë

Pa të ardhurat nga emigrantët, numri i familjeve të varfra në vend do rritej me 80 mijë

Dërgesat e emigrantëve kanë qenë për Shqipërinë arma më e fortë në luftën kundër varfërisë. Ky konkluzion është konstatuar pothuajse nga të gjithë institucionet ndërkombëtare të specializuara, që monitorojnë ekonominë shqiptare si Banka Botërore, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një raport i publikuar pak muaj më parë nga Banka e Shqipërisë nxori në pah varësinë e fortë të ekonomisë familjare të shqiptarëve nga dërgesat e emigrantëve. Sipas raportit, në Shqipëri përfitojnë dërgesa nga emigrantët më shumë se 190 mijë familje ose e thënë ndryshe 26 për qind të totalit. Banka e Shqipërisë konstaton se nëse këto 190 mijë familje nuk do të përfitonin dërgesa nga të afërmit e tyre që punojnë e jetojnë jashtë shtetit, gati 40 për qind e tyre do të jetonin nën kufirin zyrtar të varfërisë prej 50 dollarë për person në muaj.

FMN: Zëvendësoni dërgesat

Këto të dhëna tregojnë se sa të paqëndrueshme janë burimet financiare të familjeve shqiptare. Nisur nga kjo, pak kohë më parë, institucionet ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë shqiptare i kanë rekomanduar qeverisë sonë të fillojë të përpunojë strategjitë e duhura për të shmangur një krizë të mundshme. Fondi Monetar ka kërkuar zyrtarisht që qeveria të marrë masat e nevojshme për të gjetur burime të reja financimi për ekonominë, pasi dërgesat e emigrantëve pritet të kenë ulje gjatë viteve në vazhdim. Statistikat botërore tregojnë se një emigrant dërgon të ardhura në vendin e tij të lindjes mesatarisht për 14 vjet. Më pas, emigrantët ose kthehen përfundimisht ose fillojnë ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin ku punojnë. Por paqëndrueshmëria e këtyre dërgesave të emigrantëve ka qenë një shqetësim edhe i Bankës së Shqipërisë. Më shumë se 1 vit më parë, guvernatori Ardian Fullani paralajmëroi se sektori i ndërtimit mund të goditet nga një krizë për shkak se burimet që financojnë atë nuk janë të qëndrueshme. Sipas të dhënave zyrtare, dërgesat e emigrantëve dhe kredia janë dy financuesit kryesorë të këtij sektori.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›