E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Emigrantët kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare”

22-08-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takoi dje përfaqësues të shoqatës së emigrantëve shqiptarë të Greqisë
 
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje, një takim, me përfaqësues të Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë. Ai u shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare, në forcimin e marrëdhënieve miqësore e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku ata jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë, por edhe për kontributin që ata japin në ekonominë, jetën e shoqërinë e shtetit fqinj. Përfaqësuesit e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë e falënderuan përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe i shprehën mirënjohjen e tyre më të thellë për arritjet e qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në transformimin rrënjësor të Shqipërisë, në të gjitha fushat, duke përfshirë sektorin ekonomik, infrastrukturat e rëndësishme rrugore e të tjera, çuarjen përpara të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, etj.
Ata e falënderuan Kryeministrin edhe për vëmendjen dhe mbështetjen që qeveria shqiptare dhe ai personalisht kanë treguar ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të emigrantëve.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria shqiptare ruan në përparësitë kryesore të axhendës së saj marrëdhëniet me vendet, ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë, përkujdesjen për adresimin e problematikave që ata hasin, në shërbim të përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të jetesës së tyre, por edhe në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të vlerave e identitetit kombëtar, gjuhës e traditave të larta të vendit e kombit tonë. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e vendeve fqinje, Greqisë, Italisë, por edhe të vendeve të tjera dhe në një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi po punohet për të adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aspektet sociale si pensionet, arsimi, hapja e qendrave kulturore etj..
Kryeministri Berisha i njohu gjithashtu me përgatitjet që qeveria shqiptare po bën për festimin me dinjitet të jubileut historik të 100 vjetorit të pavarësisë si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet ku jetojnë e punojnë emigrantë shqiptare, por edhe diaspore shqiptare në përgjithësi
Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të tij, të qeverisë shqiptare e të Partisë Demokratike që emigrantëve shqiptarë t’u garantohen kushtet e nevojshme si për pjesëmarrjen në jetën politike në Shqipëri, ashtu edhe për ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku ata jetojnë.
Përfaqësuesit e përfaqësuesve të Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë rikonfirmuan dëshirën e tyre për ta mikpritur në mes tyre, në çdo kohë që Kryeministri Berisha do të kishte mundësi. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›