“Asnjë negociatë dhe kusht për kufijtë me Greqinë”

Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtron njoftimet në media
Ministria e Jashtme mohon fillimin e negociatave me palën greke për përcaktimin e kufirit ujor. Interesimit të mediave për çështjen që është rikthyer këto ditë në vëmendje të opinionit publik Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Gazmend Turdiu i përgjigjët prerë, duke mohuar negociatat me palën greke - ndërsa pohon ngritjen e grupit të punës për shqyrtimin e situatës.
“Nuk ka negociata me palën greke. Kjo është e padiskutueshme. Ka një grup pune i ngritur mbi bazën e urdhrit të kryeministrit që ka detyrë të shqyrtojë situatën dhe të paraqesë propozime në aspektin teknik, për t’i paraqitur këto propozime më pas në institucionet vendimmarrëse për shqyrtim dhe për vendimmarrje”, u shpreh Turdiu.
Ai sqaron se grupi i punës i ngritur nën drejtimin e Ministrisë së Jashtme, ka në përbërje një serë ekspertësh nga disa ministri dhe akademi, si ajo ushtarake dhe e shkencave.
“Ky grup pune nuk është absolutisht grup negociator. Ky grup pune ka detyrë të orientojë qeverinë drejt zgjidhjeve të mundshme të këtij problem. Ky grup pune i paraqet qeverisë se cilat pozicionet dhe interesat e Shqipërisë parë nga pikëvështrimet e këtyre institucioneve që marrin pjesë në grup pune”, tha Turdiu.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme mohon të ketë kushtëzime nga Athina zyrtare për marrëveshjen ujore. Sipas tij, baza mbi të cilën punon grupi shqiptar është vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Ka pasur një shqetësim nga pala greke për rrëzimin e marrëveshjes së firmosur mes ministrave të jashtëm nga Gjykata Kushtetuese dhe ata kërkojnë që Shqipëria të propozojë një rrugëzgjidhje. Në asnjë rast nuk na është vendosur ndonjë kusht”- tha Turdiu.
Ai hedh poshtë edhe një kushtëzim të mundshëm të statusit kandidat nga Greqia me marrëveshjen ujore. “Ajo që unë mund të them është se unë nuk kam marrë kurrë një mesazh të tillë. Gjithashtu do shtoja se duhet të vini re se edhe pala greke nuk e ka ratifikuar marrëveshjen. Kjo do të thotë se ne i kemi bërë të qartë palës greke se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë atë marrëveshje nul dhe të paqenë”- theksoi ai.
Numri dy i Ministrisë së Jashtme thotë gjithashtu se, mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka pasur asnjëherë kufi ujor. Protokollet mes dy vendeve flasin vetëm për pikën e fillimit të këtij kufiri, por jo se ku kalon ajo. Por, nëse dy vendet nuk bien dakord me pretendimet e ndarjes së kufirit, ka vetëm një zgjidhje: “Është gjithmonë çështje negociate”- tha Turdiu.