Shoqata e bashkive të Shqipërisë përshëndet rritjen e pagave
“Nga rritja e pagave nuk përfitojnë vetëm kryetarët, por të gjithë punonjësit vendorë”
Vendimi i qeverisë për të rritur kufijtë e pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore është përshëndetur edhe nga drejtori i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë sipas të cilit u arrit me kontributin e të gjithë kryetarëve të bashkive, në mënyrë të veçantë të kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha.
Drejtori i kësaj shoqate Fatos Hodaj ka deklaruar për mediat se nga ky vendim nuk përfitojnë vetëm kryetarët, por të gjithë punonjësit e njësive të qeverisjes vendore.
Në emër të kësaj shoqate, Drejtori i saj Fatos Hodaj falënderon qeverinë shqiptare dhe sidomos Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e vazhdueshëm me qeverinë vendore dhe sidomos për vendimin për të rritur kufijtë e pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore.
“Nga ky vendim përfitojnë punonjësit e njësive vendore në të gjithë vendin. Kjo rritje nuk u bë për të rritur rrogat e kryetarëve të bashkive dhe komunave por për të përzgjedhur dhe mbajtur një administratë vendore, të aftë të përballojë detyrat që i ngarkon legjislacioni por edhe ti shërbejë sa më mirë, sa më lirë dhe sa më pranë qytetarëve dhe në mënyrë efikase dhe efektive. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dëshiron të falënderojë të gjithë kryetarët e bashkive, për kontributin që kanë dhënë për të arritur daljen e këtij vendimi por në mënyrë të veçantë, Kryetarin e ri të Shoqatës, z. Lulzim Basha i cili mbasi dëgjoi, bashkëbisedoi dhe u konsultua me kryetarë bashkie, kryetarë këshillash si dhe punonjës të administratës vendore, diti të artikulojë me mjeshtëri kërkesat e tyre dhe “të bindë” qeverinë shqiptare, për domosdoshmërinë e këtij vendimi. Njëkohësisht ky vendim përkon edhe me angazhimin e qeverisjes së z. Basha, për të rritur më tej performancën e administratës publike vendore, duke pasur si lajtmotiv, ‘qytetari i pari’” .
Më tej, drejtori i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë Fatos Hodaj shpreh bindjen se, “rritja e rrogave mbi bazën e këtij vendimi, do të përbëjë një shtysë, për një zhvillim ekonomik vendor të qëndrueshëm si dhe do të shërbejë si një katalizator, për të krijuar një administratë vendore moderne”.
Sipas vendimit më të fundit të Qeverisë: Rritjet e pagave 1.6 deri në 2.6 herë më të mëdha se pagat e vitit 2005
Sipas vendimit më të fundit të Qeverisë që Kryeministri Sali Berisha firmosi dy ditë më parë, përfitojnë rritjen e pagave punonjës të administratës, ndër të cilët punonjësit e sistemit shëndetësor publik, atij arsimor, Policisë së Shtetit, etj.
Sipas vendimit më të fundit, paga mesatare e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore është rritur me 1.6 herë krahasuar me vitin 2005. Bazuar në këtë vendim, paga mesatare e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore, e cila në vitin 2005 ka qenë 22554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35122 lekë.
Nga kjo rritje page përfitojnë dhe punonjësit e policisë. Bazuar në vendimin e Qeverisë, paga mesatare e punonjësve të policisë ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30 655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55 944 lekë. Ndërsa raporti i pagës mesatare të punonjësve të policisë me pagën e kryeministrit, i cili në vitin 2005 ishte 1 me 7.1, në vitin 2012 është 1 me 4.6.
Rritje pagash përfitojnë dhe arsimtarët në arsimin 9 vjeçare dhe atë të mesëm. Bazuar në vendimin e Qeverisë, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm ka një rritje prej rreth 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Kjo pagë, që vitin 2005 ka qenë 26 831 lekë, në vitin 2012 bëhet 59 235 lekë. Sipas vendimit, edhe paga mesatare e arsimtarit në arsimin e 9 vjeçar ka pësuar gjithashtu një rritje prej rreth 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga e tyre mesatare në vitin 2005 ka qenë 22 771 lekë, ndërsa me rritjen e fundit bëhet 50 563 lekë. Ndërsa raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9 vjeçar me pagën e kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 8.6, në vitin 2012 është vetëm 1 me 4.5.
Edhe punonjësit e sistemit shëndetësor publik si në atë parësor, sekondar dhe terciar përfitojnë nga kjo rritje page. Bazuar në vendimin e Qeverisë, paga e mjekut ka një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005. Ndërsa paga mesatare e infermierit, bazuar në vendim, ka një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e mjekut në vitin 2005 ka qenë 22 683 lekë, ndërsa me rritjen e fundit bëhet 58 098 lekë. Paga mesatare e infermierit në vitin 2005 ka qenë 15 044 lekë dhe në vitin 2012 bëhet 35 618 lekë.