Emigrantët në Itali, 5350 euro në vit për rinovimin e leje-qëndrimit
Italia ka shpallur dje masën e çekut social, që shërben njëkohësisht edhe si mjeti i referencës për emigrantët në vendin fqinj. Këtë vit, Instituti Statistikor Italian, e ka vlerësuar në masën 411,53 euro, shumën mujore të çekut social, që e shumëzuar për 13 do të thotë 5.349,89 euro në vit. Shumëzimi bëhet në bazë të numrit të pagave që merren në vendin fqinj, që janë 12 muaj dhe dhurata në fundvit.
Ky çek social shërben fillimisht si asistencë sociale për të moshuarit e varfër të Italisë, porse përdoret edhe si referencë për emigrantët. Në këtë mënyrë, krahas kritereve të tjera, një emigrant në vendin fqinj do të duhet që të ketë të ardhura vjetore jo më pak se 5.349,89 euro në vit në mënyrë që të ketë të drejtë të marrë lejen e qëndrimit, ose bashkimin familjar, ose çdo lloj dokumentacioni që i lejon të jetojë ligjërisht në vendin përtej Adriatikut.
“Çeku është një formë asistence sociale për të moshuarit më të varfër; u jepet shtetasve italianë dhe komunitarë që janë të paktën 65 vjeç, kanë rezidencën në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve dhe që kanë të ardhura vjetore më të ulëta se sa shuma e çekëve socialë për 13 muaj”, - bëjnë të ditur mediat e vendit fqinj, duke shtuar se “shtetasit jokomunitarë mund të përfitojnë këtë të drejtë vetëm nëse, përveç përmbushjes së kushteve të mësipërme, janë edhe të pajisur me një leje-qëndrim CE për "rezidentë afatgjatë" ose me kartën e qëndrimit”.
Për sa i përket bashkimit familjar, kjo shumë rritet. Në këtë mënyrë, për të marrë njerëzit e afërt nga Shqipëria në Itali, një emigrant shqiptar në vendin fqinj, do të duhet të vërtetojë në autoritetet përkatëse se të ardhurat që ai ka, janë sa shuma bazë e çekut social, plus 10 për qind për çdo fëmijë që do të bëjë bashkim familjar dhe 50 për qind për personat në moshë madhore, pra prindërit dhe bashkëshortët.