Mësuesit, licencë për t’u punësuar
Në ndryshim nga farmacistët, nuk do të nevojitet që ta kenë të varur në mur, por në dosjet e aplikimit për punë, në shtet apo privat, edhe mësuesit tashmë do të duhet të kenë licencën shtetërore. Nuk bëhet fjalë vetëm për mësuesit e rinj, të cilët do të aplikojnë prej hyrjes në fuqi të kontratave të reja kolektive, negociatat për të cilat nisën dje, por edhe mësuesit që aktualisht janë në punë, do të duhet të kalojnë këtë fazë licencimi.
Në lidhje me këtë ndryshim, ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, dhe drejtuesit e dy sindikatave kryesore të arsimit në vend, z. Xhafer Dobrushi dhe z. Bajram Kruja, nënshkruan dje në mjediset e Ministrisë nisjen e negociatave, të cilat pritet të përfundojnë në përafërsisht dy muaj. Duke folur për “standard”, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, z. Xhafer Dobrushi, tha se “ndryshimet në kontratën kolektive të punës janë të shumta dhe kanë të bëjnë me përshtatjen e punësimit të mësuesve në situatën aktuale të tregut”.
“Një person që ka përfunduar një shkollë të lartë në mësuesi, nuk është e thënë se do të punësohet menjëherë si mësues, - tha ai. - Me këtë ndryshim të kontratave kolektive ne duam që ato ‘kritere të qarta’ që përcakton teorikisht Kodi i Punës, t’i përfshijmë edhe praktikisht në mënyrën se si një mësues merret në punë. Në këtë mënyrë, ai do të duhet që të japë provimin shtetëror dhe të licencohet për të hyrë në një procedurë më transparente të rekrutimit në punë”.
I pyetur nëse kjo ka të bëjë vetëm me mësuesit e rinj, z. Dobrushi deklaroi se edhe mësuesit aktualë do t’i nënshtrohen një testi njohurish. “Ajo që ne do të negociojmë në bisedimet me Ministrinë e Arsimit, është që këto ndryshime të jenë të logjikshme. Nëse do të merrnim rastin ekstrem, pra që ky testim për licencë të bëhej çdo vit, atëherë mësuesit do të vendoseshin artificialisht nën një terror për mbajtjen e vendit të punës. Ne do të kërkojmë që periodiciteti i këtyre testimeve të jetë i logjikshëm, pra një herë në shtatë ose dhjetë vjet”, - tha ai.
Kontratat e reja kolektive të punësimit do të bazohen mbi kontratat e reja, por do të ketë dy lloj ndryshimesh. Krahas atyre neneve që do të mbeten njësoj, një pjesë tjetër e neneve do të ndryshojnë pjesërisht, ndërsa një bllok tjetër, ku përfshihet edhe licencimi, do të përfshihen për herë të parë në kontratat kolektive.
Gjatë takimit të nënshkrimit të marrëveshjes për fillimin e negociatave, ministri Tafaj deklaroi se standardet e kontratës së re do të shërbejnë për zhvillimin e reformës arsimore.
“Qëllimi ynë i përbashkët është që standardet e kontratës të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e reformës së sistemit tonë arsimor në të gjitha këndvështrimet, duke filluar nga rritja e statusit të mësuesit dhe e nivelit të kualifikimit të tyre deri tek tërësia e masave që ndërmerr MASH dhe qeveria “Berisha” për rritjen e kualifikimit të mësuesve në detyrë që garantojnë punësim në bazë të meritës”, - tha Tafaj.
Në këndvështrimin e Ministrisë së Arsimit, kontrata e rinovuar, që shënon fillimin e punës së grupit të MASH dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë të gjitha standardet e arritura dhe të zhvillojë më tej shumë prej tyre.