E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha diskuton me Kryeprokuroren ligjin antimafia

Ministri i Brendshëm, Basha dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kanë diskutuar dje mbi ligjin antimafia dhe atë për Policinë Gjyqësore, që pritet të miratohen së shpejti. Dy krerët e institucioneve kanë konsideruar bashkëpunimin me njëri-tjetrin të rëndësishëm dhe kanë theksuar domosdoshmërinë që ai të thellohet në luftë kundër krimit të organizuar dhe për zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. “Një nga pikat e tjera të bisedës ishte edhe ligji antimafia, duke e cilësuar atë si një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare”, - njoftoi Ministria e Brendshme. Ministri i Brendshëm, Basha dhe Prokurorja e Përgjithshme shprehën angazhimin e plotë, për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar. Në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij. Ndërkohë që edhe ngjarjet e vjetra do të kenë një vëmendje të veçantë. Kjo pasi strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra. Ministri Basha dhe Kryeprokurorja ranë dakord që të zhvillohen trajnime të përbashkëta të prokurorëve dhe të oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›