E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Itali, rastet kur e përfitojnë dhe e humbin pensionin

Autori i Lajmit: red.
Bashkimi familjar, leja e qëndrimit, kërkesa për nënshtetësi, siguracioni etj, janë çështjet prej të cilave varet qëndrimi i emigrantëve shqiptarë në shtetet e huaja. Poblematikat me të cilat përballen më shpesh emigrantët shqiptarë marrin përgjigje nga specialistët e Ministrisë së Punës. Në numrin e sotëm të gazetës Ballkan po botojmë një grup pyetje-përgjigjesh, të cilat u vijnë në ndihmë shtetasve shqiptarë me qëndrim në Itali. Pyetjet janë drejtuar nga emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj (Itali) dhe përgjigjet janë dhënë nga specialisti i Emigracionit, në Drejtorinë e Politikave Migratore në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi.

1. Pyetje: Jam Ana, një shtetase shqiptare e martuar me një shtetas italian. A duhet të kërkoj, domosdoshmërisht leje qëndrimi për të jetuar në Itali?
Specialisti përgjigjet:
Nëse një shtetas/e shqiptar martohet me një shtetas/e italian/e dhe mban shtetësinë shqiptare, ai mund të qëndrojë pa ndërlikime dhe telashe në Itali, duke kërkuar kartën e qëndrimit si familjar i një shtetasi të BE-së.

2. Pyetje: Jam shtetas shqiptar, rezident në Itali; jetoj me vëllanë tim, shtetas italian dhe zotëroj leje qëndrimi si punëmarrës. A mund të kërkoj Kartën e Qëndrimit?

Në Itali kam ardhur në suazën e Dekret-Flukseve 2007 dhe kam leje qëndrimi si punëmarrës. Njëherësh jetoj me vëllanë tim, që është shtetas italian. Pra jam familjar i shkallës së dytë i një shtetasi italian. Desha të di, nëse kam të drejtën e kërkimit të kartës së qëndrimit si familjar i një shtetasi italian, duke e konvertuar edhe lejen e qëndrimit nga ajo me motive punësimi në atë me motive familjare. Sigurisht që lidhjen time familjare më vëllanë mund ta provoj përmes konsullatës italiane në Tiranë
Specialisti përgjigjet:
Nuk është e mundur të konvertosh lejen e qëndrimit si punëmarrës në kartë qëndrimi si familjar i shtetasit italian, sepse nuk bëhet fjalë për familjar në ngarkim të “shkallës së parë”, siç e paarshikon edhe Direktiva Evropiane nr.38/2004, pra për bashkëshort/e dhe prindër dhe pasardhës/fëmijë.

3. Pyetje: Jam në Itali për motive turistike në harkun kohor 22 janar-1 mars 2009. Desha të di nëse mund të rikthehem atje dhe a përllogaritet gjithnjë gjashtëmujori i parë nga data e hyrjes, apo gjashtëmujori i parë nga data e largimit nga Itali?
Specialisti përgjigjet:
90 ditët e qëndrimit maksimal për motive turistike përllogariten duke iu referuar 6-mujorit që vjen nga data e hyrjes së parë. Deri më 22 korrik mund të qëndrosh edhe për 90 ditë të tjera, por me vizë të re hyrjeje, sepse nuk mund të shtyhet ky lloj qëndrimi, veç shkaqeve shumë madhore dhe të rralla.

4. Pyetje:Jam shtetas shqiptar, rezident në Itali. Desha të di shumën e të ardhurave bruto për të mundur të kërkoj ribashkim familjar me bashkëshorten dhe dy fëmijtë e mij, përkatësisht 2 dhe 9 vjeç. Të gjitha kërkesat e tjera për ribashkim familjar i kam të plotësuara. Paga ime aktuale mujore është 906 euro bruto dhe 785 neto për 14 muajt e fundit.
Specialisti përgjigjet:
Shuma e të ardhurave vjetore, e modifikuar me dispozitat e reja të miratuara tani vonë nga qeveria është rritur më tej, duke filluar nga 1 janar 2009, në vijim të rregullimeve, lidhur me shumën e çekut social. Në zbatim të Nenit 29 të Tekstit Unik mbi Imigrimin, duhet të realizohet një e ardhur vjetore, nga burime të ligjshme, jo më e vogël se sa shuma e çekut social, që shumëzohet me gjysmën për çdo familjar kandidat për ribashkim familjar. Për ribashkimin me dy a më shumë fëmijë në moshë nën 14 vjeç, apo me dy a më shumë familjarë të mbajtësve të statusit të mbrojtjes së përkohshme do të mjaftojë një e ardhur jo më e vogël se dyfishi i çekut social. Meqë shuma vjetore e përcaktuar e çekut social për vitin 2009 është baraz me 5.317,65€, del me përllogaritje se ty të kërkohet për ribashkimin me bashkëshorten dhe dy fëmijë nën 14 vjeç të realizosh një të ardhur vjetore € 13.294,75, në një kohë që ti realizon € 12.684,00. Disa Sportele Unike mbi Imigrimin, si organe kompetente për shqyrtimin e këtyre kërkesave janë shumë të ngurtë në përllogaritjen e të ardhurave, duke kërkuar edhe në qindarka respektimin e ligjit, ndërsa disa të tjerë janë më fleksibël dhe mbajnë parasysh qëndrueshmërinë e marrëdhënieve të punësimit dhe disa parametra të tjerë, kur të ardhurat shmangen jo shumë nga kufijtë ligjore.

5.Pyetje: Kam paraqitur kërkesën për shtetësinë italiane dhe kam katër vjet që po pres. Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. A është normale kjo dhe ç duhet të bëj në këtë rast?
Specialisti përgjigjet:
Jo, kjo nuk është aspak normale. Afati maksimal i pritjes me ligj është parashikuar 730 ditë. Ke mundësi ama të kontaktosh Qendrën e Thirrjeve të Ministrisë së Brendshme me numra telefoni: 06 48042101 -102 -103 -104 për të marrë informacione mbi ecurinë e praktikës sate.

6.Pyetje: Jetoj në Itali që nga viti 1994, me leje të rregullt qëndrimi. Në prill të vitit të shkuar u martova ligjërisht me një shtetas italian, duke qenë edhe vetë shtetase italiane. Desha të di nëse vëllai im, që jeton me mua, me leje të rregullt qëndrimi, a mund të bëjë kërkesë për marrjen e shtetësisë italiane, duke qenë se bën pjesë praktikisht në familjen time në Itali. Aq më shumë, dy fëmijtë e mi të mitur janë shtetas italianë?
Specialisti përgjigjet:
Nuk ka asnjë “shteg të shkurtër” për vëllanë e një shtetasi/e italian/e, për të kërkuar dhënien e shtetësisë italiane. Për këtë vlejnë të gjithë rregullat në fuqi për shtetasit e huaj, duke nisur nga ai i qëndrimit të rregullt 10-vjeçar minimalisht në Itali, mes disa tjerash.

7. Pyetje: Kam gjetur një punëdhënëse italiane, e cila është e gatshme të më punësojë si bashkëpunëtore familjare (colf), me kontratë të rregullt të kësaj kategorie. Çfarë dokumentesh mund të përgatisë ajo për mua dhe ç duhet të përgatis unë?
Ku duhen paraqitur këto dokumente?
Specialisti përgjigjet:
Në Dekret-Flukset 2008 nuk është dhënë mundësia për të paraqitur kërkesa të reja për punësim, veç atyre të mbetura të paplotësuara me Dekretin 2007. Sidoqoftë, sipas zhvillimeve mund të botohen dekret-flukse të reja, ku të parashikohet kjo mundësi për punësime të reja të shtetasve nga shtete jo anëtare të BE-së.

8. Pyetje: Kam lexuar diku që punëdhënësi, nëse ka punësuar “në të zezë” ndëshkohet me një gjobë 150 euro në ditë, nëse punëmarrësi provon se ka punuar në “të zezë”. A është e vërtetë kjo? Punëdhënësi im nuk do të më paguajë punën e kryer për të në këto pesë muajt e fundit. Inspektorati i “Guardia di Finanza” kërkon prova. Unë zotëroj vetëm fotokopje, sepse origjinalet janë shkatërruar nga punëdhënësi im?
Specialisti përgjigjet:
Po, kjo është e vërtetë. Punëdhënësi duhet të paguajë një gjobë administrative 150 euro në ditë, si ndëshkim maksimal. Provat të takojnë ty, sepse ai jo vetëm që nuk do t i ofrojë, por madje edhe do të bëjë të pamundurën për të provuar të kundërtën.

9. Pyetje: Po ju shkruaj nga Siena. Nëna ime jeton me mua prej dhjetë vitesh. Në prill 2008 bëri kërkesë për lëshimin e Kartës së Qëndrimit dhe e mori. Dua të di, nëse mbajtësi i kësaj karte ka të drejtën e një pensioni minimal, apo social. Kjo fillon ditën kur kemi paraqitur kërkesën për pajisje me Kartë Qëndrimi, apo nga dita kur na u dorëzua? Mes tjerash nëna ime është 72 vjeç.
Specialisti përgjigjet:
Një shtetas i huaj, tashmë mbajtës i Kartës së Qëndrimit (dhe jo nga dita e paraqitjes së kërkesës) mund të parashtrojë kërkesë për përfitimin e çekut social, kur nuk realizon asnjë të ardhur, apo realizon të ardhura nën vlerën monetare të çekut social, aktual, ka mbushur 65 vjeç dhe ka qëndrim të vazhdueshëm në Itali. Nëse mbajtësi i çekut social e zhvendos rezidencën e tij jashtë, atëhere e humbet këtë të drejtë. Çeku social është një përfitim që nuk u kalon trashëgimtarëve.

10. Pyetje: Do të doja një informacion, lidhur me lejen e qëndrimit CE të rezidentit afatgjatë, apo Kartën e Qëndrimit. Për personat që kanë rinovuar pasaportën, më kanë thënë se duhet rinovuar edhe Karta e Qëndrimit. Cilat do të ishin pasojat, nëse nuk do të rinovohesh kjo Kartë? Nëse po, ajo nuk do të ishte më “Kartë Qëndrimi”, por “Leje Qëndrimi CE e Rezidentit Afatgjatë?
Data e skadencës do të ishte po ajo, d.m.th. në Kartën e Qëndrimit është shkruar pa kufizim kohor. A do te këtë skadencë pas pesë vitesh?
Specialisti përgjigjet:
Nuk ka ndryshim mes Kartës së Qëndrimit dhe Lejes së Qëndrimit CE të Rezidentit Afatgjatë, për sa pyet dhe nuk kërkohet rinovimi, por vetëm azhurnimi me pasaportën e re. Afati i skadencës është i pakufizuar në kohë, por pas çdo pesë vitesh, dokumenti elektronik duhet të azhurnohet dhe jo të rinovohet.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›