E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neurokirurgjia pa filma rezonance, pacientët te privati

Autori i Lajmit: Marsela Xibraku
“E vetmja aparaturë që bënë filmat e rezonancës magnetike në QSUT më shumë ndodh të jetë jashtë funksionit sesa në gjendje pune. Masat nuk janë marrë për ta zëvendësuar me një të dytë. Nisur nga kjo pacientët që vijnë nga rrethet detyrohen që të shkojnë tek privati dhe të paguajnë një shumë më të lartë, megjithëse dokumentet mund t i kenë të plota”

“Pacientët e pasiguruar futen pa radhë në këmbim të pagesës së çmimeve shumë herë më të larta se ç duhej të paguanin, duke negociuar me mjekët. E pyetur në lidhje me këtë fakt një paciente pranon se “kam ardhur prej së largu dhe duhet të bëj rezonancën e cila kushton 20 mijë lekë të reja, sepse më duhet ta bëj që sot”. Në bazë të rregullave rezonanca apo shërbime të tjera të pacienteve për sa u përket aparaturave me rreze kushtojnë vetëm dy mijë lekë”

Pavijoni i Neurokirurgjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet nuk ka filma për të bërë rezonancën manjetike. Mjekimi kërkon që çdo i sëmurë pasi të bëjë rezonancën të marrë filmin, i cili shërben për ekzaminimin nga mjeku.
Por, të mos marrësh filmin e rezonancës është njëlloj si të mos kesh grafinë e dhëmbëve kur shkon tek dentisti. Ky i fundit nuk mund të ndërhyjë pa parë më parë gjendjen e gojës së pacientit në grafi. E njëjta situatë është edhe në rastin e mungesës së filmave, ku pacienti bën rezonancën, ndërsa mjeku që e ndjek nuk e shikon dot filmin, pasi mund të ndodhë që është nga rrethet. Pacientët janë lajmëruar me një njoftim të vendosur para portës ku shkruhet se nuk ka filma për rezonancën. Por pavarësisht kësaj të sëmurët vazhdojnë të qëndrojnë në radhë në pritje të ndonjë zgjidhjeje.
Mjekët për mungesën e filmave
Lidhur me mungesën e filmave, mjekët e rezonancës përgjigjen se ekzaminimi mund të bëhet vetëm në kompjuter, pasi filmat që i duhen dhënë pacientit mungojnë. Situata është më e vështirë sidomos për ata të sëmurë që vijnë nga rrethet. Kjo kategori duhet ta kryejë ekzaminimin e plotë tek mjeku që i ka rekomanduar dhe i ka ndjekur përgjatë gjithë sëmundjes dhe vetëm një shkresë në letër është thuajse e pamjaftueshme për të arritur në konkluzione, pasi, që mjeku të ekzaminojë saktë sëmundjen, duhet ta shohë atë në film. E vetmja aparaturë që bënë filmat e rezonancës magnetike në QSUT më shumë ndodh të jetë jashtë funksionit sesa në gjendje pune. Masat nuk janë marrë për ta zëvendësuar me një të dytë. Nisur nga kjo pacientët që vijnë nga rrethet detyrohen që të shkojnë tek privati dhe të paguajnë një shumë më të lartë, megjithëse dokumentet mund t i kenë të plota.
Dokumentet
Për të bërë rezonancën magnetike duhen këto dokumente: rekomandim nga mjeku, librezë e Insitutit të Sigurimeve Shëndetësore, ekografi, pasaportë. Çdo pacient pasi disponon këto dokumenta mund të paraqitet në spital për të bërë planifikimin e rezonancës magnetike. Kjo gjë vetëm për ata të sëmurë që janë të siguruar, ndërsa për ata që nuk janë të siguruar problemi qëndron ndyshe, ata detyrohen që të paguajnë shuma më të larta.
Kostoja
Pikërisht këtu krijohen edhe hapësirat e abuzimit nga mjekët, pasi pacientë të tillë futen pa radhë në këmbim të pagesës së çmimeve shumë herë më të larta se ç duhej të paguanin, duke negociuar me mjekët. E pyetur në lidhje me këtë fakt një paciente pranon: “Kam ardhur prej së largu dhe duhet të bëj rezonancën, e cila kushton 20 mijë lekë të reja, sepse më duhet ta bëj që sot”. Në bazë të rregullave, rezonanca apo shërbime të tjera të pacienteve për sa u përket aparaturave me rreze kushtojnë vetëm dy mijë lekë. Vetë pacientët shprehen se për të paguar një shumë të tillë duhet të sorollatesh me procedura që zgjasin ndonjëherë edhe një muaj, ndaj detyrohemi të paguajmë një shumë më të lartë ose të drejtohemi tek privati, ndryshe nuk na mbetet asnjë rrugëzgjidhje tjetër, sepse sëmundja përparon. Por pasi bëhet rezonanca pacienti ka nevojë edhe për kontrollin e mjekut, i cili ka ndjekur sëmundjen, dhe me mungesën e filmave kjo gjë bëhet e pamundur. Deri tani askush nuk ka ngritur zërin për këtë problem dhe mjekët janë mjaftuar me nxjerrjen e një njoftimi “mungojnë filmat” duke e lënë kështu zgjidhjen në duart e “pacientëve”.
Aparatura jofunksionale
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, më të madhen që ekziston aktualisht në vend, problemet nuk kanë të sosur. Jo vetëm rezonanca, por edhe shumica e aparaturave të tjera ndodhen jashtë funksionit. Prej kohësh nuk është bërë asnjë investim për blerjen e aparaturave të reja. I vetmi fond që është dhënë është për rikonstruktimin e spitalit të pediatrisë, kap shifrën prej dy milionë lekësh. Pacientët janë të detyruar të vuajnë mungesën e diagnostikimit dhe kjo gjë i detyron të shkojnë sa në një klinikë në tjetrën pa gjetur asnjë zgjidhje. Kjo vjen edhe për shkak se në spitale ka një mungesë kontrolli e mirëfilltë.
Skaneri
Në të gjithë spitalin ndodhet vetëm një skaner, kjo aparaturë është ndër më të rëndësishmet për të ekzaminuar një sërë sëmundjesh, që nga tumoret e deri tek problemet e tjera më të rënda që janë me shumë rrezik për jetën e njeriut. Rezonanca magnetike është një tjetër pajisje mëse e domosdoshme për të cilën nuk shqetësohet askush edhe nëse nuk ka filma. Aparatura që shkrin gurët në veshka prej vitesh mungon dhe nuk është dhënë asnjë fond për blerjen e saj. Të sëmurët janë të detyruar që për heqjen e gurëve të kryejnë një operacion kirurgjikal, ose të shkojnë nëpër klinika private. Aparaturat që diagnostikon tumoret e stomakut dhe probleme të tjera, ndodh që të jetë shpesh jashtë funksionit.
Kobalti
Aparati i Kobaltit prishet rreth dy herë në muaj dhe nuk ka asnjë tjetër për ta zëvendësuar. Gjithashtu, mungojnë edhe ekot për pjesën më të madhe të shërbimeve, madje edhe ata pacientë që janë të siguruar detyrohen që të paguajnë fatura të larta dhe të mos i merret parasysh rekomandimi i marrë nga rrethet dhe detyrohen të marrin një përgjigje disi absurde se “ky rekomandim vlen vetëm për rrethin tuaj”. Ato që u përmendën janë vetëm një pjesë e pajisjeve mjekësore që i mungojnë spitalit më të madh në vend. Në sallat e operacioneve, në reanimacione mungojnë pajisje të tjera jo më pak të rëndësishme.
Shtretërit
Në spitalin e kardiologjisë mungojnë shtretërit. Mjekët thonë se ka rreth 200 urgjenca në ditë dhe janë vetëm 12 shtretër. Në spitalin ku janë të shtruar pacientët që vuajnë nga leucemia nuk punojnë kaldajat, dhe pothuajse në të gjithë spitalet ka një mungesë të theksuar ilaçesh dhe pacientët i blejnë me paratë e tyre edhe për ato barna që duhet të gjendeshin në një masë të tepruar në spitale. Problemet e shumta në këtë qendër spitalore vijnë nga fakti se aparaturat janë blerë shumë vite më parë dhe fondet për spitalin nuk i janë referuar blerjes së aparaturave të reja, por rikonstruksionit, gjë që ka sjellë shumë shqetësime në radhët e të sëmurëve.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›