Bollano, “kukull” e Tiranës apo e Athinës?
Para disa javësh në parlamentin shqiptar plasi skandali i korrupsionit qeveritar me fondin për botimin e teksteve shkollore për shkollat e minoriteti grek në gjuhën amtare. Rezultonte që strukturat përgjegjëse të kishin zhdukur në xhepat e tyre mbi 500 milionë lekë.
Përpos problemit për korrupsion financiar u evidentua qartë një problem i rëndë politik. Nuk rëndonte aq mbi PD si parti kryesore qeverisëse sesa mbi PBDNJ si parti në koalicionin qeverisës, pasi PBDNJ, që mori “ekskluzivitetin” e përfaqësimit politik të minoritetit grek në Shqipëri dhe e lidh misionin e vet politik me luftën për garantimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të minoritetit grek në veçanti, u bë mjeti kryesor për shkeljen e këtyre të drejtave në emër të korrupsionit qeveritar. Ky abuzim politik bëhet më skandaloz, po të kemi parasysh faktin se bëhet fjalë për të drejtat arsimore të minoritetit grek në Shqipëri si e drejta më e pretenduar dhe më evidente nga ky komunitet.
Atëherë paralajmëruam se skandale të tjera do të plasin në oborrin e kësaj partie. Nuk zgjati shumë dhe para disa ditësh, plasi një skandal edhe më monstruoz. Ai është totalisht i papajtueshëm, jo vetëm me misionin politik të deklaruar të kësaj partie, por as me parimet më elementare të një shoqërie minimalisht të civilizuar. Po ashtu, përmasat antihumane të këtij skandali janë totalisht të papajtueshme me çdo lloj penalizimi nga ana e drejtësisë të përfaqësuesve përgjegjës të kësaj partie.
Fjala është për skandalin në Qendrën Kombëtare të Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan. A ka dramë njerëzore më të madhe se ajo e atyre 22 fëmijëve të grumbulluar në atë qendër? Sigurisht që jo. Por përfaqësuesit e kësaj partie që drejtojnë Ministrinë e Punës, të Çështjeve Sociale dhe të Shanseve të Barabarta, si ministri përgjegjëse për menaxhimin e kësaj qendre, dhe drejtuesit e pushtetit lokal në Poliçan, po ashtu, përfaqësues të kësaj partie, përgjegjës për administrimin e saj, dramën e tyre e kthyen në më shumë se tragjedi. Shpresa e këtyre fëmijëve për të shijuar jetën në liri larg ngujimit, për të pasur pak më shumë bukë, për të pasur lodra, libra, shokë, shpresa për të shijuar fëmijërinë, edhe pse larg prindërve, shpresa e këtyre fëmijëve, që nuk guxojnë as fytyrën të ekspozojnë në ekran, për shkak se mund të bëhen objekt i gjakësit të familjeve të tyre, u vra. U vra nga korrupsionistët e kësaj partie. Këta fëmijë u rikthyen në kullat e ngujimit më të uritur, më të braktisur dhe shpresëvrarë. Jeta për ta tanimë u identifikua me qëllimin për të vrarë gjakësin. Por, në shtjekëzën e pushkës së tyre do të shfaqet vazhdimisht një gjakës tjetër. Shoqëria dhe shteti që i përjashtuan përfundimisht nga radhët e tyre. Dhe ata rrjedhimisht do të kenë vetëm një kënaqësi - hakmarrjen vrasëse.
Do të mjaftonte aq që drejtuesit e kësaj partie të merrnin një vendim për ta shkrirë atë. Do të mjaftonte aq që ligji i lustracionit për krimet e komunizmit të zhvlerësohej.
Por ende pa u mbyllur ky skandal (në fakt akoma s’u hap), plasi një skandal tjetër. Raporti i Bankës Botërore për projektin turistik të Jugut dhe bllokimi i tij na nxori lakuriq misionin e Bollanos në krye të Bashkisë së Himarës. Zbuloi thelbin e “nacionalizmit grek” dhe vërtetësinë e “antishqiptarizmit” të tij. Mjafton të qëndrojmë te fakti i Jalës, perlës turistike në mrekullinë e Bregdetit. Në fillimverën e 2007, në Jalë u prishën 13 objekte private, shumica e të cilave me leje dhe të ndërtuara mbi troje private larg vijës së ndaluar të bregut të detit. U prishën në emër të masterplanit turistik të Bankës Botërore. Në fakt, që të ndërtohej një objekt tjetër, që, sipas deklaratave në parlament, i takon një të afërmi të kryeministrit dhe s’ka asnjë lidhje me projektin e kësaj Banke. Në atë kohë, zëri i Bollanos në mbrojtje të interesave të ligjshme të himarjotëve në Jalë, disa prej të cilëve me kombësi të deklaruar greke, u bë tepër i hollë deri në mekje. Mirëpo, po në këtë periudhë grabitjesh të trojeve turistike në Bregdet, zëri i Bollanos u bë i trashë, duke artikuluar “parulla antishqiptare”. Opinioni mediatik dhe ai publik në vend u mor për një kohë të gjatë me këto bollanisma. Kjo gjë krijoi hapësirën dhe qetësinë e duhur që qeveritarë, politikanë, mafiozë dhe të afërm të tyre të rrëmbenin fileton turistike të bregdetit. Pasi ky proces eci suksesshëm, Bollano shpalli mik të Himarës Berishën, ndërkohë që shteti i të cilit bën sikur i hap gjyqe dhe e ndjek penalisht “antishqiptarin” Bollano.
Formula e përdorur synonte më shumë neutralizimin e reagimeve të mundshme të Greqisë, interesat e së cilës presupozohet në Tiranë se janë shumëplanëshe. Supozonte gjithashtu mundësinë për mbijetesë politike të klanit të Dule-Bollanos, pasi tanimë janë specializuar dhe provuar si të aftë për këto “marifete të thjeshta”
E vërtetë është se në Athinë është artikuluar dhe po krijohet bindja se parullat “antishqiptare” të Bollanos porositen nga vetë Tirana. Megjithatë, shteti “amë” i Bollanos, edhe pse nuk u mor hapur me mbrojtjen e tij nga “nacionalizmi shqiptar”, i cili, “duke sulmuar” Bollanon, kërkon të mohojë përkatësinë “etnike greke të Himarës”, nuk e braktisi atë. Ky qëndrim vjen nga presioni i një opinioni, përpunuesit e të cilit në Athinë janë disa himarjotë. Ata, janë parë në Himarë, ta zëmë në raste zgjedhjesh, kanë hedhur nga ndonjë shashkë nacionaliste greke dhe janë kthyer në Greqi. Ndërkohë, strukturat kompetente të shtetit shqiptar i shpallin në kërkim, pasi janë siguruar se e kanë kaluar kufirin shëndoshë e mirë. Njëkohësisht japin sinjalin që të ndizen të gjitha motorët antigrekë.
Po e mbyllim këtë shkrim duke përsëritur të njëjtën deklaratë. Skandale të tjera edhe më të rënda e presin oborrin e PBDNJ. Askush të mos kujtojë se këto skandale lidhen me ligjin e lustracionit, zbatimi i të cilit mund të ngërthejë kupolën politike të kësaj partie.
Skandali politik i radhës lidhet me vendimin e pritshëm të Dules për t’u larguar nga koalicioni i Berishës për të kaluar me atë të Ramës. Vonesa në shpalljen e një vendimi të tillë nuk lidhet me nevojën e thirrjes së kongresit për të marrë vendimin organi kolegjial. (Thirrja e Kongresit të PBDNJ aty nga marsi është një truk i Dules për të shkarkuar përgjegjësinë e turpit nga vetja). Vonesa e thirrjes së kongresit lidhet me kohën që iu duhet disa segmenteve me etiketën e interesave greke (që kanë përfitime të majme, se operojnë në emrin e minoritetit etnik grek në Shqipëri), për t’u bindur plotësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet. Nga kjo varet edhe qëndrimi i “kongresit “ të Dules. “Partinë përfaqësuese të minoritetit” segmentet e sipërpërmendura e duan në qeveri, se kështu i kanë krahët me të sigurta. Por kjo i intereson edhe Dules, pasi, pa qenë në qeveri, “partia e tij” bëhet shkrumb e hi.