E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i Topallit. Më 5 janar ka çuar letër në Strasburg që Biberaj të jetë kryetar delegacioni

Nga Ejona Bajrami

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, duket se ka dezinformuar autoritetet e Komitetit të Rregullores dhe Mandateve në Asamblenë e Këshillit të Evropës, pasi ka njoftuar Kuvendin, pasi e ka bërë ndryshimin e delegacionit në mënyrë të papritur. Në një letër drejtuar këtij Komisioni, zonja Topalli thotë se ajo duhet ta njoftonte Kuvendin në datën 19 janar, kur ai është mbledhur për herë të parë, por, sipas saj, ajo ka qenë në një vizitë në SHBA dhe njoftimin e ka bërë në datën 26 janar. Sipas saj, meqenëse nga grupi i PD nuk ka pasur kontestime, ajo nuk e ka hedhur në votë të hapur, siç e kërkon rregullorja.

Por e vërteta është se në Kuvend ka pasur kontestime dhe së paku tre-katër deputetë të opozitës e kanë kundërshtuar dhe kanë kërkuar votim. Zonja Topalli në mënyrë spekulative i referohet mungesës së kontestimeve nga PD duke dezinformuar komisionin.

Por enigma e dytë që ngre pikëpyetje për motivet e heqjes së zotit Biberaj është data se kur është bërë ndryshimi. Në datën 5 janar, sekretari i delegacionit, Vangjel Nita, i ka dërguar një listë Strasburgut, ku thuhet se kryetar delegacioni është Aleksandër Biberaj dhe një nga anëtarët e delegacionit është Taulant Dedja që në atë shkresë është shënuar si deputet i Partisë Socialiste. Kjo letër është anuluar nga një letër tjetër urgjent më 12 janar, ku thuhet se zoti Biberaj zëvendësohet nga zoti Rusmali.

Pra, me sa duket, arsyeja përse është zëvendësuar Biberaj ka të bëjë ndoshta me një vendim më të gjerë politik, që nis nga zoti Berisha, por që ky i fundit nuk ka dashur ta marrë përsipër publikisht. Për këtë arsye ai ka përdorur Topallin si një mekanizëm për të ndëshkuar Biberajn dhe për të heshtur rreth kësaj situate. Është e pamundur që një vendim kaq i menduar të merret thjesht me vullnetin e kryetares së Kuvendit, pasi për të Biberaj është caktuar në datë 5 janar kryetar delegacioni.

Zonja Topalli po ashtu duket se nuk i ka paguar udhëtimin në këtë delegacion deputetes socialdemokrate, Diana Çuli, duke thyer rregulloren për ndërtimin e delegacionit të përhershëm dhe duke kundërshtuar indirekt përbërjen e delegacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›