E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri përgatit tekstin për 26 lutjet e Mëngjesit të Lutjeve

Nga Antena brenda familjes

Kryeministri, Sali Berisha, dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u nisën për herë të parë bashkë për në Uashington. Do të shkojnë në Mëngjesin e 57 të Lutjeve, një ceremoni jozyrtare që përdoret për të promovuar kryesisht liderët në nevojë për takime joformale me presidentë amerikanë dhe zyrtarë të tjerë.

Ftesën e ka bërë Dagu. Dagu është “prifti kryesor” që jeton në periferi të Uashingtonit dhe që organizon Mëngjesin e Lutjeve. Është mik me Fatmirin. Prej vitit 1993, Fatmiri shkon rregullisht në këtë ceremoni. Merr dhe politikanë të majtë dhe të djathtë nga Shqipëria. Sivjet ka marrë për herë të parë Berishën. Nuk ka qenë një vendim i lehtë. Jo se ia prishte Dagu, por nuk ka pas nevojë pas 2005. Para 2005 nuk e ftonin. Tani ka rënë ngushtë, se nuk e fton më njeri zyrtarisht dhe i duhet doemos një foto me presidentin e ri, Obama. Me këtë mund ta shtyjë nja dy muaj, sa të vijë ajo punë e NATO-s.

Para se të nisej, Berisha mori Flamurin në telefon. I shpjegoi hallin që kishte. Dagu i paskësh thënë Fatmirit që, për ju të dy, d.m.th., doktorin dhe Fatmirin, para se të shkonin në Mëngjesin e Lutjeve, do të shkonin tek ajo kodra ku jetojnë priftërinjtë që organizojnë Mëngjesin e Lutjeve dhe duhet të bënin një rrëfim.

- Fatmiri më tha se duhet të rrëfehemi. Është punë dreqi Flamur, se s’jam rrëfyer kurrë. Thashë njëherë me nisë Jozefinën, se këta katolikët rrëfehen, por kam frikë se ajo rrëfehet vërtet dhe na merr më qafë. Por dhe Fatmirin e kam frikë, se dhe ai s’mban gjë brenda. Ndaj na duhet një tekst për të dy. Fol me dikë të na bëjë një tekst që ta mbajmë të dy para dhe të rrëfehemi njësoj.

- Mirë, - tha Flamuri. - Po ua nis me e-mail. Do përpiqem ta bëj shkurt. Po përse duhet të rrëfeheni?

- Këta i kanë thënë Fatmirit për Gërdecin, ngaqë kanë vdekë 26 veta. Duhet të themi doemos 26 herë “Falna o Zot!” Fol dhe me Jozefinën, se ajo merr vesh nga rrëfimet dhe ma nis urgjent që t’ia jap një kopje dhe këtij.

Ashtu u bë. Pas dy orësh, Flamuri i nisi këtë tekst me e-mail:

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk kishim përvojë!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se ishim në hall për të hequr municionet!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se ishte faji i Delijorgjit!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Rrahmani s’kishte përvojë në ndërtim kapanonesh!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Shkëlzeni nuk ka bërë zbor!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se baxhanakun nuk doja ta njihja!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se gruaja nuk më tregoi, ngaqë nuk donte të më shqetësonte!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Kosta Trebickës s’deshëm t’i bëjmë keq!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Bujar Nishani më tha që punën me Kostën do ta ndreqim në paqe!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se Bujar Nishani dhe Kosta Trebicka u bën ortakë tek Universiteti Evropian i Turizmit dhe thamë se u mbyll me kaq!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm t’i bënim dëm Amerikës me fishekë kinezë!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm të shqetësojmë gazetën “New York Times”!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk desha t’i them gazetës “New York Times” letër higjienike!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk desha t’i bëj dëm ambasadorit Withers, kur vura Fatmirin ta implikonte!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm të shkelnim ligjet, ndaj bëmë VKM kastile për Gërdecin!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm që të bënim sherr me prokurorinë për këtë çështje!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk desha ta humbja kurrë Silvia Kontin!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm t’i bëjmë presion presidentit për drejtësinë!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm të rrëzojmë kandidatët e Gjykatës së Lartë për të mos na gjykuar për Gërdecin.

Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm të bëjmë ligjin për pastërtinë e figurave për të ndëshkuar ata që do gjykojnë Gërdecin!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, po nuk deshëm të bëjmë presion mbi gjykatat me nenin për konflikt interesi të gjykatësve që do shqyrtojnë këtë ligj!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, por nuk deshëm të bënim kaq shumë ligje dhe vendime vetëm për të shpëtuar nga Gërdeci!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, se nuk deshëm të bëjmë presion mbi medien që zbuloi e para historinë e Gërdecit!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, por makinën e Mero Bazes bodyguard-i i djalit tim e dogji pa dashje, se po ruante para shtëpisë së tij dhe shkundi cigaren!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, po nuk deshëm të bëhej kaq e madhe kjo puna e mbylljes së gazetës me policë!

Falëm o Zot për atë që ndodhi, por ne thjesht donim të fitonte ca lekë djali! Gjithë këto të tjerat ndodhën pa dashje.

Boll i ka, tha Flamuri me vete. Ishallah s’i ngatërron Fatmiri dhe thotë të vërtetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›