E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Greqi, lehtësohen kushtet për lejeqëndrimin

Qeveria greke ka gati një draft të ri ligjor për emigracionin, më anë të të cilit synon të lehtësojë kushtet e emigrantëve lidhur me lejen e qëndrimit të tyre në Greqi.

Drafti do të paraqitet në parlament për miratim brenda ditëve të para të shtatorit.

Autorët e ligjit e cilësojnë atë një ligj “revolucionar”, sepse sipas tyre do të përbëjë një ndihmë për emigrantët e huaj të bllokuar në krizën greke, ku nuk ka asnjë mundësi punësimi.

Drafti ka 20 ligje 6 dekrete presidenciale dhe 42 amendamente që përbëjnë bazën ligjore për emigracionin e ligjshëm.

Pika më e rëndësishme është ajo që e heq varësinë e lejes së qëndrimit nga numri i ditëve të punës të siguruara. Ligji aktual kërkon nga 150-200 ditë pune të siguruara për të rinovuar lejen e qëndrimit, ndërsa drafti i ri nuk parashikon një kusht të tillë. Më ligjin e ri, për të rinovuar lejen e qëndrimit mjafton një librezë shëndetësore.

Ndryshimi tjetër është heqja e dispozitës që kushtëzonte bashkimin familjar, me vlerën e përgjithshme të të ardhurave vjetore, që nuk mund të ishin më pak se 10 200 euro.

Drafti parashikon që poseduesit e lejes pa afat (10 vjeçare), të përfitojnë automatikisht statusin e rezidentit afatgjatë. Hartuesit e draftit thonë se marrja e statusit të rezidentit afatgjatë u jep mundësinë emigrantëve që të shkojnë të punojnë në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Edhe fëmijët që kanë lindur apo janë shkolluar në Greqi marrin statusin e rezidentit afatgjatë që hartuesit e draftit e barazojnë me nënshtetësinë greke.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›