Emigrantët, procedurat për sigurimin vullnetarë
Anilejda Shëmbitraku
Pas nënshkrimit të “Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit” pritet që të lehtësohen procedurat për sigurimin shoqëror të shtetasve shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Sipas kësaj Marrëveshjeje përfaqësitë diplomatike jashtë vendit do të mundësojnë njohjen e shtetasve shqiptarë me sigurimin shoqëror në Shqipëri, ndërsa ISSH do të realizojë përfshirjen e tyre në skemën e sigurimit shoqëror vullnetar. Gazeta albania boton të gjithë procedurën e aplikimit për kontributet vullnetare. “Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar” , kështu është shprehur për gazetën “Albania”, Naim Balluku, drejtor i Drejtorisë së Kontributeve, ISSH. Ai ka saktësuar rrugën ligjore që duhet të ndiqet për plotësimin e viteve të punës.
Vjetërsia
Me gjithë vështirësitë që ka lidhur me konfirmimin e periudhave të kontributive të emigrantëve, në kushtet kur ende nuk është informatizuar dokumentacioni i vjetërsisë në punë, këtë problem e kemi parë me shumë precedencë dhe u jemi përgjigjur në kohë emigrantëve. Konfirmimi i periudhave të kontributeve për emigrantët, bëhet edhe kur ata vijnë personalisht dhe e kërkojnë këtë nga organet e sigurimeve shoqërore, por edhe kur ndodhen jashtë vendit sipas kërkesës individuale, që bëhet ose nga vetë emigranti, ose nëpërmjet patronateve në Itali. Për rastet e emigranteve shqiptarë në Itali, të cilët nga të dhënat e 1.1.2010, janë 472,000 vetë me dokumente të rregullta (nuk janë përfshirë emigrantët që janë në aplikim për leje qëndrimi) , kemi komunikim sistematik nëpërmjet patronateve, ku bashkërisht kemi organizuar takime në disa rajone. Emigrantët bëjnë kërkesa në ISSH, nëpërmjet formularëve dy gjuhësh.
Formularët
Një nga formularët shërben për sqarime që kërkohen për legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Patronatet në formë elektronike e dërgojnë kërkesën në ISSH, ku për këto raste përgjigja jepet brenda ditës. Formulari tjetër shërben për konfirmimin e periudhave kontributive. Ky formular dy gjuhësh, përmban gjeneralitetet e personit kërkues dhe rubrikat e punës dhe periudhat dhe institucionet ku ka punuar emigranti. Ai dërgohet në formë elektronike në adresat e publikuara të ISSH. Menjëherë ISSH, dërgon kërkesën në formë elektronike dhe zyrtare Drejtorisë Rajonale të ISSH, ku emigranti ka punuar dhe ka dokumentacionin e punës. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore brenda muajit bën konfirmimin e periudhës kontributive dhe ja dërgon ISSH në formë elektronike dhe zyrtare. ISSH, me të marrë konfirmimin në formë elektronike, e nis menjëherë në adresën e Patronatit përkatës për ta marrë emigranti kërkues. Me mbërritjen në rrugë zyrtare dokumentacioni i konfirmuar, i dërgohet zyrtarisht me postë Patronatit, i cili e dërgon në adresën e emigrantit. Ky dokument zëvendëson librezën e punës dhe është tërësisht i vlefshëm për rastet e përfitimeve që jepen nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore.
Kompletimi i viteve të punës
Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar
Ky problem zgjidhet me anë të skemës së sigurimit vullnetar, që është pjesë përbërëse e Ligjit nr.7703 datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe shërben për t`u krijuar mundësi shtetasve shqiptarë për të kompletuar vjetërsinë e nevojshme për punë, në mënyrë që të përfitohet një pension i pjesshëm apo i plotë. Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar. Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin aktual. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tij. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.
Përfituesit
Ja kush mund të aplikoj për kontribut vullnetar
Për të përfituar një pension të plotë kushtet kryesore janë: një moshë që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe vjetërsi në punë 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm aktualisht kërkohen 15 vite sigurimi. Ka shumë shtetas që kanë nën 15 vite sigurimi, psh. mund të kenë 12,13,apo 14 vite. Në këto kushte këto vite sigurimi nuk i vlejnë pasi nuk përfitojnë pension. Në rast se këto periudha i kompenson me sigurim vullnetar atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vitesh do të garantonte një pension të pjesshëm. Një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë totalisht këtë lloj përfitimi. Pra problemi qëndron që emigrantët të mos i “djegin” ata vite që kanë në Shqipëri, por të kompletojnë vitet e munguara për të përfituar nga ligji një pension të plotë ose të pjesshëm.
PËRFITIMI
Vjetërsia e punës
1- Pension të pjesshëm kur kanë jo më pak se 15 vite të siguruara;
2- Pension të plotë kur kanë jo më pak se 35 vite sigurimi;
3- Pensione invaliditeti, kur janë tërësisht të paaftë për punë. Këto pensione i përfitojnë ata persona që kanë qenë të siguruar në Shqipëri, bazuar në një formulë: moshë, minus 20 pjestim për 2, është vjetërsia kontributive për pension invaliditeti të plotë. Për vjetërsi kontributive më të vogël, proporcionalisht me periudhën e siguruar jepet pension invaliditeti i reduktuar. Pra, një invalid që mund të jetë në moshën 50 vjeç, me këtë raport, përfiton pension të plotë invaliditeti kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Në rastet kur ka me pak merr pension të pjesshëm në raportin: vjetërsia në punë që ka, me vjetërsinë që i kërkohet sipas raportit të mësipërm.
4- Invalidëve u jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim, prej 5% të pensionit, kur janë nën moshën 18 vjeç, apo 25 vjeç, kur vazhdojnë arsimin e lartë.
5- Kur humb jetën personi që ka qenë i siguruar në Shqipëri, përfitojnë pension familjarët e tij, fëmijët nën moshën 18 vjeç ose 25 vjeç, kur vazhdojnë arsimin e lartë.
5- Për invalidët që kanë nevojë për përkujdesje jepet dhe një shtesë në masën 15% të pensionit.
KUSHTET
Sigurimi vullnetar
Që një shtetas shqiptar të sigurohet vullnetarisht duhet të plotësojë këto kushte:
1. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç;
2. Sigurimi të bëhet para lindjes të së drejtës për përfitim nga ligji për sigurimet shoqërore. Aktualisht kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë është 3633 lekë. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5% nga shuma e kontributeve. Për pagesën gjashtëmujore zbritet 3% e kontributeve dhe për atë vjetore zbritet 6% e shumës së kontributeve.
16 Dhjetor 2010