E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërto e shkatërro

Bashkia e Korçës nuk gjen hapësira publike për veprat e artit, punë të Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës.


Ato që u realizuan vitin e kaluar, jo vetëm janë dëmtuar, por nuk ka një vend për t'i vendosur. Maks Velo ngre shqetësimin dhe propozon: "Të vendosen përgjatë bulevardit"


Nuk merret njeri me 16 skulpturat në gur dhe mermer


Në fund të qershorit, qyteti i Korçës pati rastin të gjallëronte për një kohë të shkurtër jetën kulturore.


Përgjatë një jave, 27 qershor deri më 6 korrik, artistë nga vende të ndryshme të botës u vendosën aty për një detyrë të veçantë. Secili kishte në dispozicion 2 metër kub mermer, të sjellë enkas për këtë ngjarje nga Skrapari, me të cilin duhet të realizonte një vepër arti.


Ky ishte edhe edicioni i dytë i "Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës". Një ekspozitë skulpturash, që prej dy vjetësh zhvillohet në Korçë, me qëllimin për t'u bërë një traditë.


Në këtë takim të dytë që u organizua nga Qendra Kulturore "Vangjush Mio", Bashkia e Korçës dhe "Swiss Cultural Program" për Ballkanin Perëndimor, morën pjesë tetë artistë: Genti Tavanxhi, Paora Te Ranguivala, Matthew Simmonds, Nagi Fared, Giuliano Giussani, Yoshin Ogata dhe Jorg Plickat. Në përfundim të kësaj jave, qyteti i Korçës numëronte plot 16 vepra arti në gur (tetë për çdo edicion). Një pjesë e tyre janë vendosur në parkun "Rinia" të qytetit, një tjetër para Universitetit Fan S. Noli e të tjera aty-këtu nëpër qytet.


Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës është një përpjekje e Bashkisë së Korçës për të tërhequr sa më shumë vizitorë dhe pushues në qytetin juglindor, jo vetëm gjatë stinës së verës, por gjatë gjithë vitit.


Ideja e organizatorëve të këtij aktiviteti artistik ndërkombëtar është që në përfundim të këtij projekti, fillimisht 5-vjeçar, të jetë krijuar një galeri veprash të artit figurativ. E për ta bërë më tërheqës aktivitetin, Bashkia propozon që çdo vit, guri më të cilin punojnë artistët, të jetë me ngjyra të ndryshme.


Nëse në dy edicionet e para u punua në gur gri dhe në mermer të bardhë, sipas arkitektit Maks Velo, vitin tjetër mund të provohet me gurë me ngjyra të tjera.


Ai e sheh këtë aktivitet edhe si një vazhdimësi të traditës së gurëgdhendjes që ka qyteti i Korçës, por në një nivel bashkëkohor të gdhendjes së gurit. Megjithatë, arkitekti shprehet i habitur se, pikërisht është skulptura ajo që ka më shumë arritje se sa piktura në këtë qytet.


"Konkursi ndërkombëtar "Vangjush Mio" nuk ka dhënë vepra artistike madhore, edhe pse ka arritur që të njihet nga artistët ballkanas. Korça dhe qytete të tjera, momentalisht po kalojnë një humbje kujtese pamore dhe, si rrjedhim, po përjetojnë një çoroditje pa asnjë orientim final. Piktura shteroi me Vangjush Mion.


Kështu ndodh gjithmonë me provincat. Ato mund të nxjerrin një artist të madh, por kurrë një pasues. Një tjetër Mio nuk vjen në Korçë. Tani kërkohen punë të Rafail Demos. Piktura e tij po vlerësohet, sepse ishte më i heshturi i sociorealistëve", - thotë Velo.


Ky është refleksioni i tij për rezultatin e konkursit të skulpturës në kontekstin e vlerave kulturore të Korçës, vendi i origjinës së piktorit, njëherësh ideator i këtij aktiviteti. Sipas tij, kjo arritje e skulpturës lidhet me tre elemente të qytetit: ikonat, kolonat e gurit dhe dy vepra të Odise Paskalit.


"Këto tregojnë që surealizmi i ikonave nuk arriti të bëjë për vete piktorët, por u pranua nga skulptorët", - thotë Velo dhe si elementin më të veçantë përmend lidhjen e qytetit me malin e gurin. "Emblema e arkitekturës popullore në Korçë janë kolonat e gurit. Qyteti të ofron koleksionin më të plotë dhe më të arritur të kolonave të punuara në gur."


Dhe ishte pikërisht kjo njohje e punimit të gurit në këtë zonë, e cila e shtyu Maks Velon që, në shkurt të 2008-ës, t'i propozonte bashkisë realizimin e këtij simpoziumi.


Tashmë janë realizuar dy të tillë, por pavarësisht dëshirës së mirë për organizimin e konkursit nga bashkia, problemet janë shfaqur në fazën e dytë të projektit; vendosjen dhe ruajtjen e tyre. Sipas Velos, problemet kanë nisur fill pas edicionit të dytë. "Këtë vit u shtua numri i punëve dhe u vunë re probleme, - thotë ai, - sidomos me veprat e realizuara vitin e kaluar".


Bashkia e qytetit të Korçës, gjatë këtij viti ua ka ndryshuar vendndodhjen, duke mos pasur një hartë konkrete të vendosjes së tyre. Herë i ka vendosur në një pjesë të parkut e herë në një tjetër. Velo pohon se kjo zhvendosje pa kriter ka dëmtuar një pjesë të punëve. "Njëra prej tyre u dëmtua rëndë dhe nuk po riparohet.


Bazamentet bëhen sipas dëshirës. Ndërsa aty ku veprat janë vendosur, nuk mund të shihen, sepse i mbulojnë ligustra ose tabela reklamash, që janë më të mëdha se sa veprat",- thotë ai.


Një zgjidhje e mundshme për këtë situatë, sipas arkitektit, do të ishte vendosja e veprave përgjatë murit të bulevardit në dalje të Korçës dhe, nëse kjo është e pamundur, atëherë mund të grumbullohen në park.


Por për të realizuar këtë duhet bërë një studim paraprak, gjë që kërkon një arkitekt, por ende nuk është dukur ndonjë i tillë që të merret me studimin e vendosjes së veprave

Përveç problemit të dëmtimeve dhe vendndodhjes së skulpturave, Velo shtron dhe një çështje tjetër: mungesa e të dhënave që shoqërojnë punët, pasi në bazamentet e tyre nuk është vendosur as emri i artistit dhe as titulli i punës.


"Duhet një hartë ku të caktohet vendndodhja e çdo vepre, viti i punës dhe autori, po kështu, duhet që pranë çdo vepre të vihet një pllakë bronzi me të dhënat e autorit, shtetit dhe vitit të punës," - thotë Velo.


Nëse ky simpozium do të vazhdojë, në dhjetë vjet do të bëhen 80 vepra dhe në njëzetë vjet do të jenë 160 vepra e akoma më shumë.


Duke gjykuar nga ato çfarë ka ruajtur deri më sot ky qytet, arkitekti ynë beson, megjithatë, se "detyra kryesore e bashkisë së Korçës për momentin është të krijojë këtë koleksion madhor, që do të jetë më i çmuari i artit modern në Shqipëri".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›