E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët të derdhin kontribute në Shqipëri, në të kundërt nuk marrin shërbim spitalor

Emigrantëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, ju kërkohet të derdhin kontributet e tyre si nga ISSH-ja edhe nga ISKSH-ja. Në rast të kundërt ata nuk mund të sigurojnë as një pension pleqërie e as shërbime në ambientet spitalore. Megjithëse ata janë një nga burimet kryesore për zhvillim e ekonomisë në vend ata nuk përfitojnë asgjë në momentin që kthehen në Shqipëri. Kontributet e tyre financiare për gjithë këtë vit në ekonominë e vendit nuk llogariten dhe ata nuk mund të subvencionohen. Sipas rregullit të sigurimeve ato duhet të derdhin kontributet e tyre si çdo qytetar tjetër që jeton e punon në vend. Megjithëse ata janë të detyruar të paguajnë figuracione në vendet ku ata punojnë këtu nuk ju llogariten dhe nuk mund të marrin as shërbimin më të vogël në momentin që kthehen në Shqipëri, qoftë edhe për pushime të shkurtra. Edhe pse qëndrimi i tyre është i limituar që nuk e kalon një muaj ata duhet të derdhin siguracione për një vit të plotë që të jenë pjesë e të siguruarve. Nëse atyre ju ndodh një aksident apo ju ndodh të sëmuren gjatë pushimeve as edhe një spital nuk ju subvencionon as gjënë më të vogël.
ISSH: Emigrantët duhet të paguajnë sigurimet
Emigrantët që kthehen në atdhe për pushime mund ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të siguruar vitet e punës që iu mungojnë, me qëllim përfitimin e pensionit kur të arrijnë moshën. Drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore shpjegojnë se emigrantët mund të sigurohen për periudhat që nga viti 2003 e deri tani, duke përfituar edhe nga lehtësitë që ofrohen për pagesat. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vetëm në Greqi dhe Itali, numri i emigrantëve shqiptarë llogaritet në rreth 1.2 milionë vetë, një pjesë e mirë e të cilëve i kanë paguar sigurimet shoqërore gjatë periudhës që kanë jetuar në Shqipëri. Drejtuesit e ISSH-së bëjnë të ditur se po bashkëpunohet me bankat në vendet fqinjë, me qëllim që emigrantët shqiptarë të paguajnë sigurimet shoqërore për vitet e mbetura pranë sporteleve të tyre.
Edhe ato që nuk janë në punë duhet të sigurohen
Për tu bërë pjesë e përfitimeve që ofron ISKSH-ja ka disa mënyra edhe për ata që nuk janë në proces pune apo që ndodhen jashtë vendit. Kështu, pranë ISKSH-së mund të sigurohesh edhe në mënyrë vullnetare, duke ndjekur procedurat e përcaktuara me ligj.
Sigurimi vullnetar ka të bëjë me ata njerëz që janë të vetëpunësuar në qytet ose në fshat, që vetësigurohen dhe duan të përfitojnë shërbime të njëjta me të siguruarit. Në këtë rast personi mund të paraqitet vullnetarisht për të përfituar këto shërbime, duke bërë pagesën përkatëse pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shëndetësore. Pas kryerjes së këtyre procedurave, i siguruari mund të përfitojë shërbimet që ofron skema. Që personi i siguruar, në mënyrë vullnetare, të përfitojë sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe për një vit. Me ndryshimin e pagës minimale do të ndryshojë dhe përqindja që duhet të paguajnë qytetarët që duan të sigurohen në mënyrë vullnetare.
Sigurimi për një vit
Të gjithë të siguruarit në mënyrë vullnetare duhet të paguajnë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe një vit. Më pas pagesat bëhen si parapagim dhe për periudha jo më pak se tre muaj. Masa e kontributit është 3.4% e pagës mujore minimale të përcaktuar çdo vit me vendim të qeverisë. Qytetarët që duan të sigurohen në mënyrë vullnetare duhet të drejtohen pranë drejtorive rajonale të ISKSH-së, ku mund të marrin sqarimet përkatëse dhe të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve. Pjesë e kësaj skeme mund të bëhen kategori të caktuara të qytetarëve, si të gjitha gratë apo burrat që nuk kanë punuar asnjëherë dhe që janë në moshë pune. Po kështu, mund të përfshihen emigrantët një kategori e caktuar e studentëve etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›