E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë për kulturën shqiptare në Itali

Në Genova të Italisë falë bashkëpunimit me Bibliotekën Publike "Berio", më të rëndësishmen e qytetit bregdetar, u organizua takimi me shkrimtarin dhe diplomatin shqiptar Ylljet Aliçka. Në qendër të tij ishte shfaqja premierë në Itali e filmit shqiptaro-francez "Kronikë provinciale", me skenar të Aliçkës dhe regji të Artan Minarollit. Filmi u prit mjaft ngrohtë nga publiku i shumtë gjenovez i pranishëm në sallë, i cili nuk mungoi ti drejtonte autorit dhe panelit shumë pyetje mbi historinë e filmit, por edhe mbi Shqipërinë, artin dhe kulturën e saj.  Në takim merrte pjesë edhe zv/ministrja e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve znj. Suzana Turku. Ajo vuri në pah praninë e një numri të madh artistësh të talentuar e të afirmuar Shqiptarë në panoramën artistike e kulturore të Europës, të cilët luajnë një rol të jashtëzakonshëm, pasi shërbejnë si një urë që lidh vendin tonë me pjesën tjetër të shoqërive perëndimore. Dita e dedikuar kulturës shqiptare vijoi në mbrëmje, me një tjetër performancë artistike. Kështu, në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit të Poezisë, në kornizën magjepsëse të oborrit të brendshëm të Palazzo Ducales, të apasionuarit e letërsisë patën rastin të dëgjojnë disa nga poezitë më të bukura dhe prekëse të letërsisë shqipe, të recituara në gjuhë origjinale nga vetë autori i tyre, poeti shqiptar Visar Zhiti. Poezitë u recituan gjithashtu në gjuhën italiane nga aktorët e ftuar dhe u pritën me shumë duartrokitje nga publiku.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›