E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Kombinat: Do të zgjidh përgjithmonë çështjen e pronave

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta ka vijuar turin e tij elektoral duke zhvilluar një takim me mijëra qytetarë të Kombinatit në kryeqytet. Së bashku me kandidatë të tjerë të LSI, Meta shpalosi Planin për Veprim para banorëve, duke u shprehur i sigurt në fitoren e LSI me 28 qershor. Duke përshëndetur qytetarët e Kombinatit, të Unazës së Re, të Misto Mames dhe të Qytetit të Nxënësve, Lideri i LSI Meta, u shpreh se ndjehej më i nderuari dhe më i privilegjuari nga të gjithë, sepse shqiptarët e kanë kuptuar se alternativa e tij është më e mira që meriton të jetë fituese.   Në 28 qershor me votën tuaj, unë do të jem deputet i Kombinatit, i Unazës së Re, i Misto Mames dhe i Qytetit të Nxënësve, i këtij populli të mrekullueshëm me të cilin jemi të lidhur aq ngushtë, jo vetëm politikisht, por dhe shpirtërisht, tha Meta. Më tej, Meta vijoi se populli i Kombinatit ka qenë dhe mbetet një komunitet punëdashës, por që për fat të keq e ka shumë të vështirë të gjejë vetveten duke punuar. Prandaj, përmes këtij programi ne i ofrojmë komuniteti tuaj, një perspektivë të afërt, të prekshme, në mënyrë që të gjithë përmes punës të mbajnë me djersë dhe dinjitet familjet e tyre, ti rrisin dhe ti shkollojnë fëmijët e tyre. Unë do bëj çdo gjë që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i legalizimeve, proces me të cilin Sali Berisha ka 4 vjet që mban peng qindra mijëra shqiptarë në të gjithë Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë. Unë do të bëj gjithçka, tha Meta, që problemi i ujit të pijshëm dhe problemi i kanalizimeve të zgjidhet një herë e mirë për të gjithë njësinë nr. 6, pasi është një problem dhe një dramë më vete për shumë pjesë të komunitetit tuaj, u shpreh Meta. Ai gjithashtu i siguroi të pranishmit se do të bëjë gjithçka që problemet e këtij komuniteti të zgjidhen hap pas hapi. Mrekullia më e madhe është ajo që ne përmes programit tonë do të garantojmë punësimin e qëndrueshëm të 100 mijë shqiptarëve gjatë 4 viteve që vijnë. Do të garantojmë që për çdo familje të varfër, të paktën një pjesëtar të jetë pjesë e programit tonë për punësimin jetik. Përmes programit tonë, ne do të ulim koston e jetesës për familjet shqiptare, të cilat i kanë të ardhurat nën minimumin jetik, tha ai. Kreu i LSI u shpreh në vazhdim të fjalës së tij, se populli i Kombinatit jeton në krizë dhe ai krizën e ka ndeshur në shumë pjesë të komuniteteve. Populli i kryeqytetit dhe në qendër të tij, jeton nën kërcënimin e varfërisë. Sali Berisha e çoi vendin në krizë dhe në greminë në vitin 1997, ne socialistët dhe progresistët e ringritëm shtetin, stabilizuam ekonominë dhe përfshimë Shqipërinë në proceset integruese. Sali Berisha e ka futur prapë Shqipërinë në krizë. Ne përsëri me votën dhe mbështetjen tuaj do ta nxjerrin nga kjo krizë ekonomike dhe sociale dhe do ti japim shqiptarëve punë dhe mundësi për të jetuar me dinjitet si qytetarë evropianë, deklaroi lideri i LSI. Së fundmi Meta tha se forca e tij do të zgjidhë edhe statusin e minatori, të ushtarakut dhe më kryesorja do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›