Emigranti: Kam ndihmuar 70 shqiptarë
Largimi i dhimbshëm me skaf i vitit 1993 bëri që ai të vlerësonte edhe më tepër vuajtjet e bashkatdhetarëve
ELBASAN- Është i vetmi ekstrakomunitar i Dhomës së Tregtisë CAN dhe si rrjedhojë ka vendosur që një grup anëtarësh nga Pistoja t’i sjellë në vendlindjen e tij, ku shikon shumë mundësi për investime. Në këtë Dhomë përfshihen 5 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme italiane, dhe anëtarët duke zhvilluar vizita e përmendin faktin që Bashkim Çullhaj është një rast i veçante dhe më tej vlerësojnë punën dhe cilësitë e tij. E në fakt, ai i përket asaj historie të dhimbshme të skafeve drejt Italisë në vitin 1993, duke vënë jetën në rrezik. Mbërriti në Pisto fare rastësisht, por kuptoi se duhet të punonte shumë, pasi kishte edhe një zanat të vështirë, atë të gurgdhendësit. Puna e tij ra shpejt në sy dhe kërkesat ishin gjithmonë në rritje. Pasi punoi tre vjet i vetëm, vendosi të krijonte ndërmarrjen e parë dhe kthehet në një sipërmarrës. Pas disa vitesh pune dhe sakrificash, arrin të marrë familjen dhe të konsolidojë pozitat e veta edhe më tej. Bashkimi është shembulli tipik i shqiptarit që pak nga pak ndërtoi pasurinë e tij, dhe nuk janë pak. Në vitin 2000 zgjidhet si anëtar i Dhomës së Tregtisë, i vetmi ekstrakomunitar. Puna e tij dhe e grupit të punëtorëve që ka krijuar, është mjaft e kërkuar dhe italianët e vlerësojnë punën artizanale. Vështrimi i Bashkimit u kthye në Shqipëri ku edhe mendon se është e ardhmja e çdo shqiptari.
Përgjatë segmentit rrugor Elbasan –Peqin, shumë afër vendlindjes së tij, ai ka blerë një sipërfaqje prej 15 hektarësh ku ka dëshirë të ndërtojë një hotel. Idetë e veta ua ka sugjeruar edhe anëtarëve italianë të Dhomës së Tregtisë në Pistoja. Ai ka sjellë tre delegacione italiane për të tërhequr sa më shumë investimet e tyre dhe i fundit përmban brenda tij edhe investitorë të fuqishëm me kapitale të mëdha. Kur e pyet se sa të vështirë e ka pasur të arrijë të krijojë të ardhura dhe madje të kthehet edhe në një urë lidhëse mes vendlindjes dhe vendit ku punon e jeton, Bashkimi përgjigjet: “Ka shumë shqiptarë që punojnë si unë dhe rropaten duke krijuar të ardhura dhenjë stabilitet ekonomik. Unë pata fatin që me punën time të merreshin pak njerëz e si rrjedhojë, kisha pak rivalë. Puna vlerësohet kudo dhe italianët i vlerësojnë njerëzit e ndershëm dhe punëtorë. Ata kanë besim tek ata njerëz që tregojnë me punën e tyre se ç’dinë të bëjnë. Për këtë mendoj se më zgjodhën edhe si anëtar. Shpresoj që çdonjëri prej tyre të shikojë mundësinë për të krijuar ndërmarrje në Elbasan. Ky vend ka shumë nevojë për investime dhe ky ishte qëllimi im kur organizova këtë binjakëzim”. Bashkimi gjithashtu ka ndihmuar shumë shqiptarë. Ai ka arritur të bëjë me dokumente dhe t’i ndihmojë për punë mbi 70 vetë. Duke qenë vetë një emigrant i mbërritur në Itali mes shumë peripecive, ai e di se ç’do të thotë të jetosh larg familjes për një kohë të gjatë. Përvoja dhe puna e tij bëri për vete italianët e Pistojas, ku jeton, të cilët mendojnë se shqiptarët janë punëtorë dhe të zgjuar, por patën fatin e keq të jetojnë komunizmin. Bashkimi mundohet të jetë sa më pak i dukshëm në takimet e zhvilluara aq sa për veten flet shumë pak, por suksesi i tij emocionon shumë. Sepse është një sipërmarrës shqiptar në tregun e egër Italian, në një vend të merituar, si dhe pjesë e strukturave të biznesit.
Dhoma e Tregtisë në Pistoja do të ketë një zyrë në Elbasan për të koordinuar marrëdhëniet mes sipërmarrësve dhe për t’u ofruar mundësinë të njohin resurset e këtij qyteti. Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik, mundësitë e mëdha në fushën e ndërtimit janë vlerësuar nga grupi i këtij delegacioni si pozitive për të nisur një biznes apo për ta shtrirë atë edhe përtej detit. Në takimet me kreun e prefekturës, kryebashkiakun dhe kreun e qarkut, ata kanë mësuar shumë për Elbasanin, për mundësitë dhe gatishmërinë që ka ky qytet për të pritur sa më shumë investitorë. Madje ata kanë vizituar edhe biznese në Elbasan dhe pritet të nëshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, aktivitet ku ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe ambasadori italian.