Kryeprokurori i Antimafies italiane vjen në Shqipëri

Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë akuzës qendrore. Sipas tyre, me ftesë të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, Grasso po qëndron për një vizitë zyrtare pune në Tiranë.
Ai shoqërohet nga zëvendësprokurori Giovani Mellio.
“Menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, Ina Rama, pati një takim pune me zotin Grasso dhe delegacionin që e shoqëron.Në këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe prokurorë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të Prokurorisë së Përgjithshme, u diskutua për thjeshtëzimin e shkëmbimit të informacioneve në nivel prokurorish të të dyja vendeve, si dhe për përshpejtimin e procedurave të ekzekutimit të letër-porosive”, thanë burimet nga akuza.
Sipas tyre, qëllimi ishte edhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes institucioneve të prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane, me synim thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve.
“Në fokus të vizitës është edhe vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta me Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Republikës së Shqipërisë. Për këtë qëllim, delegacioni italian do të zhvillojë edhe një vizitë dhe takim pune në këtë prokurori”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme.
Në kuadër të kësaj vizite, Kryeprokurori i Antimafies italiane, Grasso, i shoqëruar nga përfaqësues të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, do të zhvillojë sot dhe nesër takime edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Brendshme.