Kreu i këshillit: Nuk e kam dhunuar policin
SHKODËR - Pas daljes nga qelitë e paraburgimit të komisariatit të Policisë së Shkodrës, Ardjan Hysa, kryetar i këshillit bashkiak të Koplikut, në një prononcim për gazetën “Shekulli” dha shpjegimin e tij lidhur me incidentin e një jave më parë, ku ai u akuzua se dhunoi shefin e krimeve të komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe, Arben Perndoj. Sipas Hysës, versioni i paraqitur nga policia nuk është i vërtetë. “Qenia ime aty ishte krejt e rastësishme dhe ndërhyrja ime për të shuar debatet që po zhvilloheshin mes tre xhaxhallarëve të mi, ishte normale. Por pas qetësimit të gjendjes, mbërriti shefi i krimeve, me të cilin vazhdimisht kam ruajtur marrëdhënie korrekte. Ndërhyrja e tij kundër dy xhaxhallarëve të mi ishte e dhunshme. Unë thjesht i kërkova të ishte i sjellshëm. Kam mbetur i habitur nga aktpadia e tij në adresën time. Shefi i krimeve njihet si njeri problematik e provokues në rrethin e Malësisë, pasi dhe disa herë të tjera është konfliktuar me qytetarë të zonës”, pohon Hysaj. Ndërkaq, policia e Shkodrës rikonfirmon zyrtarisht akuzën e ngritur ndaj kreut të këshillit bashkiak të Koplikut, Ardjan Hysa, për kundërshtim me force edhunë fizike të punonjësit të policisë. Sipas bluve, do të jetë prokuroria ajo që me hetimet e saj të mëtejshme do e zbardhë ngjarjen dhe gjykata do të japë vendimin. Burime nga drejtoria e policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë ankesë me shkrim apo dhe verbale në drejtim të punës së shefit të policisë kriminale të komisariatit të Malësisë së Madhe, Arben Perndoj.