E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, dështimi i Shqipërisë në Strasburg

Zhvendosja e zyrës së Përfaqësuesit Ligjor tek Avokatura e Shtetit, për shkak të dështimit me çështjen e pronave

Deri më sot, dëmi financiar i humbjeve në Gjykatën e Strasburgut kap shifrën e 1.5 milionë eurove

TIRANË- Dështimi shqiptar në Gjykatën e Strasburgut për çështjen e pronave duket se ka alarmuar qeverinë, aq sa të miratonte zhvendosjen e zyrës nga Ministria e Jashtme tek Avokati i Shtetit. Në të vërtetë, pronatjanë çështja më delikate që ka shqetësuar shtetin shqiptar, gjatë përballjeve të tij me Gjykatën e Strasburgut ndërsa dëmi financiar, deri më sot llogaritet në 1.5 milionë euro. Pjesa më e madhe e çështjeve të shqyrtuara janë humbur nga shteti ynë dhe kjo humbje kushton jo vetëm shumë para, por edhe një situatë të vështirë për t’u menaxhuar në të ardhmen. Deri më sot, në Strasburg janë 22 ankesa për çështje pronësie, kundër shtetit shqiptar. Nga këto vetëm 4 kanë dalë me një vendim të prerë, ndërsa të tjerat janë në proces shqyrtimi. Por çështja e pronave i ka shkaktuar Shqipërisë një humbje të konsiderueshme të prestigjit ndërkombëtar, pasi sipas shumë gjasave, edhe çështjet e tjera të ngjashme që janë në shqyrtim, do të dalin me të njëjtin rezultat negativ për qeverinë shqiptare.

Çështje të tilla si “Gjonbocari”, “Beshiri” apo “Ramadhi” nuk mund të konsiderohen të humbura vetëm për shkak të parave që detyrimisht duhet të dalin prej buxhetit të shtetit, por edhe problematike për legjislacionin shqiptar. Disfatat e njëpasnjëshme, kryesisht me pronat në Strasburg kanë bërë që qeveria të reagojë duke zhvendosur zyrat nga Ministria e Jashtme tek Ministria e Drejtësisë, konkretisht pranë Avokaturës së Shtetit. Reformimi i zyrës sipas modelit spanjoll, megjithatë vështirë se mund të zgjidhë precedentin tashmë të krijuar në Gjykatën e Strasburgut. Humbjet e 4 çështjeve gjatë vitit 2008 në Gjykatën e Strasburgut i kanë kushtuar vendit tonë një shumë prej 129 502 966 lekësh të reja. Në qoftë se i shohim më në detaje vendimet, do të vemë re një kërkesë të vazhdueshme të Gjykatës së Strasburgut për të përmirësuar kryesisht aspektin legjislativ të problemit të pronave.

Shqipëria ka ratifikuar konventën e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, në protokollin e saj të 11, pra pasi janë kaluar disa hallka të përmirësimit të legjislacionit. Por ndryshe nga Hungaria, Sllovakia apo Bullgaria, të cilët e kishin përfunduar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, Shqipëria e ratifikoi këtë konventë pa qenë gati dhe pa e detyruar askush. Në lidhje me ligjin e pronave, Shqipëriaka ndryshuar deri më sot një sërë ligjesh duke shkaktuar një kaos brenda shoqërisë shqiptare, kryesisht me ligjin 7501. Tashmë Gjykata e Strasburgut do të ratifikojë protokollin e 14. Thelbi i kësaj do të konsistojë në shqyrtimin e sa më shumë ankimimeve nga Gjykata e Strasburgut brenda një viti, gjë e cila mund të shkaktojë një kaos në Shqipëri, pasi sa më shumë vendime që mund të merren kundër shtetit tonë, aq më shumë do të rritet edhe kostoja financiare e arkës sonë të varfër.

Avokati i Shtetit, Eduart Halimi, pohon se ndryshimet në ligj do të përmirësojnë përfaqësimin

“Zyra e mëparshme, e paaftë për të përfaqësuar Shqipërinë”

TIRANË- E ndërsa qeveria shqiptare duket në pozita jo të favorshme përballë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Avokati i Shtetit, Eduart Halimi shprehet optimist për ndryshimet ligjore. “Me hartimin e këtij ligji të ri, tashmë Shqipëria do të shfaqë një fytyrë më dinjitoze në Gjykatën Strasburgut. Kjo lëvizje u propozua duke parë rezultatet aspak pozitive të Zyrës që vepronte pranë Ministrisë së Jashtme”, -u shpreh Halimi për “Shekullin”. Arsyet e rezultateteve të dobëta, sipas Avokatit të Shtetit janë kryesisht vonesat që kjo Zyrë ka bërë në përcjelljen e informacionit, ku të gjitha materialet nuk çoheshin në kohën e duhur në Strasburg. Halimi shprehet se nuk është bërë një punë profesionale, pasi avokatët që përfaqësonin shtetin tonë nuk i kanë bërë të qartë Strasburgut se kthimi dhe kompensimi i pronave është në proces. “Nga pakujdesia apo paaftësia nuk e di, pasi analizat i bëjnë njerëz të tjerë, por ata nuk kanë shfaqur para Gjykatës së Strasburgut se kthimi dhe kompensimi i pronave është një proces që vazhdon në vendin tonë”,-thotë ai. Ai shton se megjithëse kompensimi do një kohë të konsiderueshme, Shqipëria duhet të shfaqë përpara kësaj Gjykate vullnetin që ky proces do të përfundojë. Po pse kjo Zyrë do të kalojë pranë Avokaturës së Shtetit? Për këtë arsye është konsultuar më parë dhe është nënshkruar një memorandium me Spanjën, e cila edhe e ka të inkorporuar këtë Zyrë pranë Avokaturës së Shtetit. Avantazhi sipas Halimit, qëndron se në këtë zyrë, avokati që do të përfaqësojë Shqipërinë në Strasburg do të marrë një pagë të ngjashme me një ministër, që do të variojë deri në 1500 euro. Kjo do ta bëjë avokatin më të predispozuar për t’u marrë seriozisht me një çështje. Gjithashtu, në Strasburg do të ketë një zyrë përfaqësimi e cila do të shqyrtojë më nga afër këto procese gjyqësore që do zhvillohen kundër shtetit shqiptar. Zyra e Përfaqësuesit Ligjordo të përbëhet prej 4 avokatësh. Halimi premton se do të rekrutojë pranë tij ekspertët më të mirë, me një nivel të lartë profesional për të hartuar një mbrojtje sa më dinjitoze për shtetin shqiptar.

Shqipëria, e humbur në gjysmën e vendimeve

TIRANË- Zyra e Përfaqësuesit Ligjor vepron prej vitit 1999 në vendin tonë, e inkorporuar pranë Ministrisë së Jashtme. Kjo zyrë përbëhej nga përfaqësuesi i shtetit dhe dy juristë. Nga viti 1999 deri më sot janë dërguar nga shteti shqiptar 146 çështje, nga të cilat Gjykata e Strasburgut ka pranuar të shqyrtojë 76. Deri në tetor të 2008, kjo Gjykatë ka dalë me 16 vendime, nga të cilat shteti ynë është ndëshkuar në 8 prej tyre. Dënimet kanë qenë si financiare ashtu edhe legjislative. Pavarësisht shumave financiare, vërejtjet thelbësore që Gjykata e Strasburgut ka bërë ndaj shtetit shqiptar kanë qënë me një rëndësi të veçantë edhe për anën legjislative, duke i kërkuar në rradhë të parë përshtatjen e Konventës Evropiane me ligjet shqiptare.

Çështjet e humbura në Strasburg

“Bajrami” kundër Shqipërisë 3 071 000 lekë

“Gjonbocari” kundër Shqipërisë 6 036 800 lekë

“Dybeku” kundër Shqipërisë 622 500 lekë

“Ramadhi” kundër Shqipërisë 8 275 176 lekë

“Driza” kundër Shqipërisë 69 300 000 lekë

“Marini” kundër Shqipërisë 42 197 490 lekë

“Beshiri” kundër Shqipërisë 15 489 000 lekë

“Qufaj Co” kundër Shqipërisë 8 856 000 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›