E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e urisë

Brokaj: Probleme serioze me shëndetin e deputetëve

Lëvizja Socialiste për Integrim vërejti me keqardhje mungesën e interesimit për gjendjen e përkeqësuar të deputetëve grevistë që kanë dalë në mbrojtje të votës së lirë. Sabit Brokaj, nënkryetar i LSI-së, tha dje se ishte i çuditur nga mungesa e vëmendjes për grevistët. Sipas Brokajt, “mospërfillja dhe mosvlerësimi i kësaj greve po merr karakter kriminal”. Ish-ministri i Mbrojtjes konstatoi gjithashtu, se gjendja e deputetëve është mjaft e rënduar dhe se shqetësimet kanë filluar ndoshta prej disa orësh. “Mund ta them saktë, që ka filluar të shfaqet ai sindrom që është kërcënues tek njerëzit, që kufizon marrjen e produkteve ushqimore, si kaloritet, por veçanërisht elektrolitet dhe substancat e tjera jetësore”, - tha Brokaj, gjithashtu ish-ministër i Shëndetësisë. Në cilësinë edhe të një kardiologu, Brokaj vërejti se sipas kontrolleve mjekësore, “në dy-tre deputetë vërehet hipertension, ulje tensioni, që mund të bëhet shkas për të pasur probleme, sidomos kur kalohet nga pozicioni i shtrirë në këmbë dhe më pas më rëndë akoma”. Ai tha gjithashtu, se shenja jo të mira janë çrregullimet e glicemisë, si ndryshe ulja e sheqerit në gjak, pasqyrim i mosmarrjes së sheqernave etj. “Tek deputetë të caktuar vërehet çrregullim i ritmit të zemrës, diku ritëm 50 e ca në minutë, diku natyrisht më i lartë. Të gjitha këto shfaqje tregojnë se janë prishur ekuilibrat në organizëm dhe kur prishen këto ekuilibra në organizëm, kërcënimi është imediat”, - tha Borkaj.

LSI-ja sakaq shprehu dje dy mundësitë që ajo mendon se mund të zgjidhin përplasjen me socialistët e demokratët. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, artikuloi dje dy variantet që partia ku ai bën pjesë i shikon si të pranueshëm lidhur me përbërjen e komisioneve. “LSI-ja shprehet se procesi i administrimit të zgjedhjeve kërkon zgjidhje parimore për të gjithë piramidën e zgjedhjeve, që nga komisionet e qendrave të votimit, ato zonalë, të grupeve të numërimit e deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zgjidhjet në parim për këtë janë dy dhe shumë të qarta: ose komisionet e administrimit të votës do të jenë në të gjithë nivelet teknike, ose ato do të jenë gjithëpërfshirës, së paku në nivel parlamentar”, - deklaroi Vasili. Ai shtoi se LSI-ja është e hapur për të dy opsionet e mësipërm. Sipas tij, Berisha nuk mund të gënjejë dot shqiptarët se gjoja votat do të numërohen përpara kamerave. Sipas tij, problemi i numërimi është vetëm një episod, pasi më parë kutitë mund të jenë mbushur në qendrat e votimit apo gjatë rrugës nga militantët e dy partive të mëdha. Vasili shtoi se as pretendimi për rritjen e shpenzimeve nga shtimi i numrit të komisionerëve nuk qëndron. Zgjidhja në këtë rast, sipas LSI-së, do të ishte që partitë të çojnë përfaqësues pa pagesë, d.m.th vullnetarë. Sipas Vasilit, qëndrimi i shprehur nga shefi i ekzekutivit se është duke negociuar me socialistët nuk qëndron. Ai shtoi se deputetët grevistë po sakrifikojnë për të garantuar votën e lirë dhe kërkojnë standarde për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Ndërkaq, 10 deputetët grevistë mbyllën dje ditën e gjashtë të grevës së urisë, në një kohë që gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të rëndohet më tej. Sikundër në ditët e shkuara, në gjendje të luhatshme shëndetësore kanë qenë deputetët demokristianë Ymer Tola e Frrok Gjini dhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Listës së deputetëve që kanë pasur probleme shëndetësore i është shtuar edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi. Nisur nga situata e rënduar e grevistëve, mjekët që hyjnë në sallën e Kuvendit në ndihmë të tyre iu kanë rekomanduar daljen nga greva e urisë. Ndërsa mjekët kërkojnë ndërprerjen e grevës, deputetët kanë deklaruar se nuk do të dalin nga salla e Kuvendit pa u plotësuar kërkesat e tyre. I. S.

sa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›