E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigranti denoncon në News24 burokracinë në QSUT

TIRANE- Një urdhër i brendshëm i drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza nxjerrë këto ditë, që parashikon bllokimin e të gjitha rekomandimeve të zyrës së konsultave pranë kësaj drejtorie po mban peng pensionin e invaliditetit të një emigranti shqiptar. 54 vjecari Namik Ahmeti, emigrant prej vitesh në Itali dhe i operuar nga bluzat e bardha italiane për problemet shëndetësore kardiake ka mbërritur në Shqipëri në 22 tetor dhe ka kërkuar të përfitojë kempin, në bazë të shkallës së sëmundjes kardiake që ai ka. Por përvec sorrollatjave nga njëra derë e spitalit në tjetrën, deri tani nuk ka mundur të dalë në komision.
Për të dalë në komision, pacienti duhet të shtrohet në spital 3 ditë që mjekët të bëjnë të gjitha analizat dhe ekzaminimet përkatëse. Por edhe pse ka patur probleme kardiake dhe është paraqitur në Urgjencën e spitalit, 54 vjecari nuk u shtrua nga mjekët, pasi sipas tyre duhej rekomandimi i zyrës së konsultave.

“Mjekët më thanë se duhet të drejtohem në zyrën e konsultave. Zyra e konsultave më ka dhënë datën 13/11/2009. për cudi më thanë se ju nuk duhet të shtroheni pasi ka një urdhër nga drejtoria e spitalit që rastet e konsultave të mos merren në konsideratë por të merren rastet e urgjencave. Unë kam qenë dy herë në urgjencën e spitalit nuk gjeta zgjidhje” tregon Ahmeti.

Ajo që ka indinjuar më shumë emigrantin 54 vjecar duke e detyruar të paraqitet pranë redaksisë së News24 për të denoncuar rastin e tij, është trajtimi aspak dinjitoz dhe mungesa e informacionit, kur këtë situatë e krahason me atë cfarë ka gjetur në Itali.

“Ndjeva ngrohtësinë e shtetit italian, të institucioneve të shëndetësisë të cilën nuk po e gjej dot në vendin tim. Ne të sëmurët kronikë në Itali trajtohemi të parët, mjeku i familjes në Itali më telefonoi për të bërë vaksinën kundër A/H1N1 por unë ndodhem në Shqipëri. Shërbimi në spitalet tona mua më la shumë për të dëshiruar” shprehet 54 vjecari.
Ahmeti ka reaguar në media duke kërkuar ti jepet fund situatave burokratike , pas të cilave fshihet korrupsioni që mundon shtetasit shqiptarë në dyert e spitaleve.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›