Emigrojmë më shumë nga pakënaqësia, jo nga varfëria
Një studim i realizuar nga ekspertët Harry Papapanagos dhe Peter Senfey mbi emigrimin në Shqipëri nga viti 1992, ka arritur në përfundimin se ata që janë larguar nuk kanë qenë më të varfrit e as më pak të arsimuarit. Studimi është publikuar në vitin 2000 dhe vjen sot në gazetën Shqip si një analizë mbi faktet se përse shqiptarët janë larguar dhe po largohen kaq masivisht. Kështu, në studim thuhet se shqiptarët kanë një tendencë rekord për tu larguar, në ndryshim nga të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore. Vetëm pak më shumë se një e katërta e popullsisë ishin plotësisht të bindur në atë kohë që nuk do emigronin. Kurse plotësisht të bindur se do emigronin ishin 38 përqind. Në Maqedoni kjo shifër ishte vetëm 4.9 përqind, në Rumani 2.8 përqind dhe Bjellorusia 1 përqind. Pjesa tjetër janë të lëkundur. Por ajo që ka çuditur më shumë studiuesit është se shqiptarët më të arsimuar dhe me një gjendje më të mirë ekonomike, janë të parët që duan të largohen. Madje, ata që duan të largohen janë ata që kanë më shumë besim tek ekonomia e tregut. Në njëfarë mënyrë kjo tregon se ata e dinin se çdo pasonte në Shqipëri. Komunistët mbetën, shkruan Shqip.