E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiratet Arabe do të financojnë aksin Tiranë-Elbasan

Premtimi është bërë sot nga ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha.

"Do të financojnë rrugën Tiranë-Elbasan, një ndër projektet më prioritarë infrastrukturore të qeverisë shqiptare si dhe po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi dhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike projektet për bashkëpunimin në transportin ajror", është shprehur Al Nahyan.

Ministri Al Nahyan, theksoi se hapja në Abu Dabi e ambasadës shqiptare dhe hapja në një kohë të afërt e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, do të jenë një ndihmë e madhe për forcimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve. Kreu i qeverisë i shprehu Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e përhershme dhe të gjithanshme të Emirateve të Bashkuara Arabe në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.

Vizita juaj, u shpreh Kryeministri Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat janë në një nivel të shkëlqyer. Berisha vlerësoi se "marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe angazhimi i tyre për thellimin e marrëdhënieve ekonomike janë mënyra më e mirë për konsolidimin dhe çuarjen e bashkëpunimit në një nivel edhe më të lartë".

Ministri Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, vlerësoi ndryshimet e thella të Shqipërisë në një vit nga vizita e tij e fundit, "falë reformave të jashtëzakonshme dhe vizionit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare". Ministri Zayed Al Nahyan, i cili do të marrë pjesë në inaugurimin e Aeroportit të Kukësit, u shpreh se ndihej i nderuar që ky aeroport do të mbante emrin “Sheikh Zyed” dhe i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen që qeveria shqiptare vendosi t’i jepte këtij aeroporti këtë emër.

Pas prezantimit që u bëri Berisha potencialeve të mëdha të Shqipërisë, Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara theksoi se "trendi i rritjes ekonomike të Shqipërisë në vitet e fundit, veçanërisht në këtë kohë të krizës botërore, falë reformave të thella ekonomike dhe klimës së favorshme për biznesin, ka bërë që të ketë mjaft interes nga ana e investitorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe për të investuar në Shqipëri".

Kryeministri Berisha i shprehu ministrit të Jashtëm të EBU-së mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe për mbështetjen e madhe në rindërtimin dhe zhvillimin e saj, duke theksuar se Kosova po dëshmon se është faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›