E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiratet e Bashkuara Arabe do të financojnë ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan



Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbështesin financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Kjo është bërë e ditur nga ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, gjatë një takimi që zhvilloi dje në Tiranë me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha. Gjatë kësaj vizite ministri arab shoqërohej nga përfaqësues të korporatave dhe agjencisë së investimit të Emirateve te Bashkuara Arabe, të cilat renditen ndër investitorët e parë të huaj në botë.
Gjatë takimit Basha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nënvizuar faktin se Emiratet e Bashkuara Arabe ishin i pari shtet arab që njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran më 14 tetor 2008.
Dy ministrat diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimin e vizitave në nivele të larta, ngritjen e komisioneve të përbashkëta të bashkëpunimit si dhe për forcimin e dimensionit ekonomik në të gjitha fushat. Gjithashtu, dy homologët u angazhuan për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve, si dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për rritjen e kontakteve të ndërsjella dhe praninë e theksuar të investitorëve arabë në Shqipëri. Një vend të veçantë në diskutimin mes dy ministrave zuri ndërtimi i rrugës së shkurtër Tiranë-Elbasan. Ministri Basha e informoi homologun e tij mbi këtë prioritet madhor për qeverinë shqiptare dhe duke nënvizuar përkushtimin e qeverisë shqiptare për të nisur këtë investim sa më parë, kërkoi mbështetjen financiare të Emirateve të Bashkuara për këtë projekt. Ministri i Jashtëm arab shprehu mbështetjen e tij të plotë për të financuar rrugën Tiranë-Elbasan nëpërmjet një kredie të butë nga pala arabe.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›