E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e Berisha i thonë jo debatit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë



Ka dështuar tentativa e Dhomës Amerikane të Tregtisë për të vënë përballë në një debat publik dy liderët e forcave kryesore në Shqipëri. Ky institucion prestigjioz biznesi ka synuar të sjellë standardet amerikane të debatit publik edhe në fushatën elektorale shqiptare, por duket se Sali Berisha dhe Edi Rama kanë vendosur të mos përballen mes tyre. Dy kryetarët e partive kryesore shqiptare janë tërhequr nga ballafaqimi publik me njëri-tjetrin. Kjo është bërë e ditur në revistën e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, “Advantage”, në të cilën presidenti Filip Bay shkruan dështimin e debatit midis dy liderëve. “Ne e kuptojmë se ky nuk ishte një refuzim ndaj organizatës sonë dhe idesë së debatit, por refuzimi nënvizon faktin se dy liderët e partive të mëdha politike të vendit nuk janë gati të takohen e të ulen në të njëjtën tryezë në publik dhe të flasin me vetëbesim për planet e tyre të ardhshme për Shqipërinë. Ne e ofruam këtë standard që përdoret në Amerikë, Europë, por edhe në Ballkan, si një standard të lartë komunikimi, i cili do t’i tregonte Europës dhe botës se politika shqiptare ka ndryshuar”, - thuhet në artikullin e zotit Bay. Burime të Dhomës Amerikane thanë se refuzimi ka ardhur krejt papritur në një kohë që më parë ishte konfirmuar debati, madje ishin bërë dhe të gjitha përgatitjet paraprake për të.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›