E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emision special për Kosovën në TV gjerman

Me rastin e përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, transmetuesi televiziv gjerman Phoenix emeton të shtunën, më 16 shkurt, një emision special kushtuar Kosovës. Emisioni në kuadër të ciklit “Thema” fillon në orën 13:00 dhe zgjat 75 minuta.

“Një vështrim në vendin e shkatërruar nga brenda dhe njëherësh jashtëzakonisht fascinues në zemër të Ballkanit”, prezantohet ky kontribut i mediumit gjerman për Kosovën.

“Me 5 vjet jetë Kosova është shteti më i ri i Evropës, por edhe vatra më e madhe e krizës në këtë kontinent. Para më shumë se 13 vjetëve në Kosovë është luftuar ashpër, dhjetëra mija njerëz kanë vdekur. Armët ndërkohë kanë pushuar por lufta në kokat e njerëzve vazhdon tutje. Në këtë emision, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi jep një pasqyrë për të ardhmen e vendit, pikërisht në aspektin e bashkëjetesës në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Emisioni i jep fjalën edhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit gjerman Volker Halbauer, i cili flet për vështirësitë e sigurimit të paqes në vend, shkruan portali Albinfo.

“Njësoj, si në Mitrovicë, në qytetin e fundit të ndarë të Evropës me konfliktet ende përshkallëzuese, si në Has, ku traditat e Kosovës vazhdojnë jetën e tyre; njësoj si në Prishtinë, në qendër të Kosovës ose në manastiret, si qendra të kulturës serbe, tema “Pesë vjet Kosovë” ofron pamje shumëplanëshe në politikën, jetën dhe kulturën e shtetit më të ri të Evropës”, shkruan në prezantimin e emisionit.

Emisionin do ta pasurojnë edhe filmi dokumentar “Jugoslawien: Beinache wie vor dem Krieg...” (ZDF/Arte) dhe përmbajtje tjera të transmetuesit Phoenix./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›