E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emma triumfon në Sanremo

Këngëtarja e quajtur Emma Marrone me këngën “Non e’ l’inferno” ka fituar Sanremon, apo festivalin e 62-të të këngës në Itali.

Këngëtarja ia ka dedikuar fitoren kushëririt të saj Leandro, i cili ka humbur jetën në një aksident rrugor në vitin 2011.

“Dua t’ia dedikoj këtë fitore të gjithë teknikëve që kanë punuar për ne gjatë gjithë ditës, muzikantëve dhe Leandros”, u shpreh Emma menjëherë pas marrjes së çmimit.

Emma ka qenë në garë me gjigantë të muzikës italiane si; Marlene Kunz, Chiara Civello e Matia Bazar. Ajo është një këngëtare e muzikës pop, është 27 vjeç dhe ka marrë mjaft vlerësime nga kritika.

Por në Sanremo nuk kanë munguar dhe polemikat. Në qendër të tyre ka qenë këngëtari Adriano Çelentano. Ai mori kritika nga Kisha për shkak të deklaratave që bëri një ditë më parë, ku foli kundër medias katolike që përdor parimet dhe simbolet kristiane për t’u vënë në shërbim të politikës. Në mbrëmjen e së shtunës Çelentano hyri i qetë në skenë, këndoi një këngë, por më pas shpërtheu ndaj opinionit publik. “Media më sulmon sikur unë kam bërë një atentat ndaj shtetit”, tha ai.

Ky edicion i Sanremos u dominua nga gjinia femërore pasi vendi i dytë u fitua nga Arisa me këngën “La notte”, ndërsa në vend të tretë u rendit Noemi me “Sono solo parole”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›