Emocionet e të rinjve që garojnë për Arkitekturë, Urbanistikë dhe Dizajn

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Të rinjtë që synojnë të ndjekin studimet në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës morën pjesë në Konkursin e Pranimit për programet e Arkitekturës, Urbanistikës, Interierit dhe Dizajnit.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga zhvillimi i konkursit, duke përcjellë emocionet e të rinjve që po konkurrojnë për të fituar një vend në programet e studimit.
Një prej konkurrentëve, Erika Seferi, nga gjimnazi “Protagonistët” u shpreh se kishte ardhur për të zhvilluar provimin pranues për degën e Arkitekturës.
“Kam ardhur për të kryer provimin hyrës në degën e Arkitekturës. Jam lutur dhe shpresoj shumë që ta fitoj degën e Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës”, tha ajo.
Edhe një tjetër konkurrent, i ardhur nga shkolla e bashkuar e Kolonjës, tregoi emocionet e tij për provimin.
“Kam ardhur sot në provimin pranues të Arkitekturës. Ndihem shumë mirë, besoj se do të jap maksimumin dhe shpresoj që të pranohem në këtë degë”, u shpreh ai.
Daniel Xhaja, nga gjimnazi “Qemal Stafa”, u shpreh se gara ishte për programin e Interier Dizajnit.
“Jam këtu për të konkurruar për provimin pranues të Interier Dizajnit dhe besoj që do ta fitoj, sepse kam studiuar mjaftueshëm”, tha ai.
Një prej organizatorëve të konkursit theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi transparent dhe të mirëorganizuar, ku aftësitë dhe merita e çdo konkurrenti janë në qendër të vlerësimit.
“Prej vitesh ne organizojmë këtë konkurs, i cili është një konkurs mjaft transparent, i mirëorganizuar dhe me rigorozitet. Merita dhe aftësia e çdo konkurrenti del mbi çdo gjë tjetër dhe çdo proces”, u shpreh ai.
Sipas organizatorëve, procesi zhvillohet nën masa të rrepta sekretimi dhe organizimi, me synimin për të garantuar integritetin e konkursit dhe një vlerësim sa më të drejtë të kandidatëve.
“Çdo pjesë e këtij procesi është e sekretuar dhe e mirëorganizuar, në mënyrë që në fund të mos kemi asnjë problem. Çdo gjë është në maksimumin e saj dhe urojmë që prindërit dhe fëmijët e tyre të jenë të kënaqur në fund të këtij procesi”, tha organizatori.
Konkursi i Pranimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës mbledh çdo vit të rinj nga gjimnaze të ndryshme të vendit, të cilët synojnë të ndjekin një nga programet e studimit në fushën e arkitekturës, urbanistikës dhe dizajnit.
/gj.m/j.p/