Emrat kandidatë që priten të përzgjidhen në garën për kryesinë
21/12/2009 Partia Demokratike në zgjedhje për kupolën drejtuese të saj
Pas zgjedhjes së Këshillit Kombëtar dhe certifikimit të tij, një garë tjetër jo pak më e rëndësishme pritet të zhvillohet në Partinë Demokratike. Bëhet fjalë për kryesinë e kësaj partie, ku do të garojnë rreth 40 kandidatë, të cilët janë zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë në Kuvendin e Partisë Demokratike. Kandidaturat do të përzgjidhen nga vetë kreu i PD-së mes 100 emrave që fituan në kuvendin e 14 dhjetorit. Në bazë të statutit, numri nuk duhet të jetë 1.5 herë më i lartë se numri i anëtarëve të kryesisë. Duke llogaritur numrin 27 që ka kryesia e PD-së, numri i kandidatëve që do të përzgjidhen për në kupolën më të lartë shkon në 40 kandidatura. Përjashtim nga gara bën kryetari i partisë, ndërsa 30% e këtij numri, pra jo më pak se 13 kandidatura, pritet të jenë femra, nga të cilat do të zgjidhen 9 prej tyre.
Gara
Natyrisht, një pjesë të rëndësishme të kandidaturave të partisë pritet ta zënë emrat e kabinetit “Berisha”, të cilët janë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar. Më pas vijnë figurat më të spikatura të saj, por edhe figura të tjera, të cilat në katër vjet kanë dhënë një kontribut jo të vogël në parti. Gjithsesi, megjithëse në pamje e qetë, lufta për kryesinë e PD-së pritet të zhvillohet e fortë për shkak dhe të numrit të kufizuar të vendeve dhe rëndësisë së vendimmarrjes, sidomos kur bëhet fjalë për kandidaturat, qofshin këto në zgjedhje lokale, qofshin në zgjedhje të përgjithshme. Megjithëse kryetari Berisha është ai që vendos në fund për çdo gjë, sërish emrat kalojnë në kryesi dhe lobimet për emrat bëhen pikërisht atje.
Të mbeturit jashtë
Deri tani nga anëtarët e kryesisë janë 5 emra që nuk kanë fituar në Këshillin Kombëtar dhe që automatikisht mbeten jashtë kandidimit. Burime në PD shprehen se pjesa tjetër do jetë e garës dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, që ka gjasa të zhvillohet përpara fundit të vitit. Gjithsesi, gjithçka do të varet nga preferencat e kryetarit, që në një masë të madhe ndikojnë shumë në Këshillin Kombëtar, i cili është dhe institucioni që voton emrat për kryesinë e partisë. Në listë nuk përjashtohet që kandidaturë të jetë dhe emri i Besnik Mustafait, pavarësisht mosmarrëveshjeve me kryeministrin.
Emrat pretendentë
1. Ridvan Bode
2. Astrit Patozi
3. Jozefina Topalli
4. Lulëzim Basha
5. Sokol Olldashi
6. Fatos Beja
7. Genc Ruli
8. Majlinda Bregu
9 Edi Paloka
10. Bujar Nishani
11. Leonard Demi
12. Ilir Rusmali
13. Edmond Spaho
14. Marjeta Zaçe (Pronjari)
15. Aldo Bumçi
16. Rajmonda Bulku
17. Halit Shamata
18. Ilir Bano
19. Jemin Gjana
20. Albana Vokshi
21. Gerti Bogdani
22. Ferdinand Xhaferri
23. Myqerem Tafaj
24. Mesila Doda
25. Arta Sakja
26. Arben Imami
27. Arenca Trashani
28. Lajla Përnaska
29. Genc Pollo
30. Gazmend Oketa
31. Jorida Tabaku
32. Adriana Gjoni
33. Edit Harxhi
34. Erla Mëhilli
35. Juela Meçani
36. Gjergj Lezhja
37. Enkelejd Alibeaj
38. Besnik Mustafaj
39. Shaban Memia
40. Florion Mima
41. Gent Strazimiri
42. Keltis Kruja
Drejtuesit e lartë
Nga kryesia aktuale mbeten jashtë një sërë emra, të cilët nuk arritën të fitojnë në Këshillin Kombëtar. Emra të tillë, si Aleksandër Biberaj, Omer Stringa, Margarita Qirko, Liri Dibra etj. s’do të jenë më pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike. Por këtë herë duket se kryetari do të kujdeset që të paktën krerët e PD-së, siç janë Bode, Patozi dhe Topalli, jo vetëm të marrin numrat e nevojshëm për të qenë anëtarë kryesie, por të kenë dhe një numër dinjitoz votash. Në zgjedhjet e vitit 2005 lëshimi që u bë rrezikoi që krerët e PD-së të merrnin vota më pak se ata që kishin ardhur atë vit në këtë parti.